Wiflingseder e krahason korrupsionin në Kosovë me Afrikën

Prishtinë, 31 mars - I lodhur nga neglizhenca e institucioneve për të kryer punën e tyre, e cila ka të bëjë direkt në funksionimin e biznesit që drejton në Kosovë, austriaku Gerald Wiflingseder është shprehur mjaft i zhgënjyer me funksionimin e disa nga institucioneve kosovare.
Kam punuar edhe në vendet afrikane, ku korrupsioni është në lartësinë më të madhe në botë, por nuk e kamë pasur kaq të vështirë sa në Kosovë, për të bërë biznes, ka thënë Wiflingseder. Sipas tij, kjo neglizhencë dhe pengesë e institucioneve, jo vetëm që po iu krijon vështirësi në funksionimin e tyre por edhe humbje të parave.
Institucionet kosovare në vend që të bashkëpunojnë me ne dhe të na ndihmojnë të zhvillojmë punën tonë, ato na paraqesin probleme dhe na bllokojnë në vazhdimësi, ka thënë Wiflingseder, duke shtuar se vetëm njëra nga humbjet ishte bllokada 2-javore e grurit nga Serbia.
Kjo bllokadë atyre iu kishte kushtuar humbje mbi 20 mijë euro, vetëm për shkak se AUVK nuk ishte ngutur që të kryejë analizat. Ndërkohë, sipas tij, mielli nga Serbia hynte pa problem.
Ai miell është i njëjtë sikurse gruri. Pse ai nuk paska qenë i dyshuar e gruri jonë po. Pas 13 ditësh vetëm na kërkuan falje, nuk na lëshuan asnjë letër të analizave. Po ta kishim atë në Shqipëri, nuk na kishin ndalur dhe kërkuar analiza tjera. Kam kontaktuar zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Ministrisë së Tregtisë, por vetëm këta të fundit na u kanë përgjigjur me një e-mail, se jemi interesuar që të kryhet sa më shpejt, ka thënë ai.
I mllefosur nga kjo papërgjegjësi austriaku Wiflingseder, i cili qe tre vjet punon në Kosovë, ka thënë se në këtë mënyrë investitorët e huaj vetëm do të largohen dhe më shumë.
Jam i bindur se investitorët e huaj kanë probleme në shtetin e Kosovës, ka përfunduar ai.
Se institucionet kosovare për ditë e më shumë janë duke ua bërë edhe më të vështirë punën investitorëve të huaj, kanë thënë edhe përfaqësues të Odave Ekonomike në vend dhe përfaqësues të bizneseve.
Sipas tyre, për shkak të pengesave të shumta që kanë hasur në të bërit biznes në vend, shumë kompani ndërkombëtare që kanë ardhur për të investuar në Kosovë, janë larguar pa e bërë një gjë të tillë.
Sipas Berat Rukiqit nga Oda Ekonomike e Kosovës, arsyeja kryesore është se po hasin në parregullsi të mëdha ligjore.
Një nga problemet që mund të trajtohet me urgjencë në raport me ambientin biznesor, është sundimi i ligjit dhe të gjitha aspektet që janë brenda sundimit të ligjit, çoftë funksionimi i gjykatave, funksionimi i administratës, rastet korruptive, janë problemet kyç që ne duhet ti trajtojmë në raport me investitorët e huaj po ashtu edhe ata vendorë, ka thënë Rukiqi.
Sipas tij, në anketat që bënë OEK shqetësimi kryesor i investitorëve të huaj është mosfunksionimi i ligjit. Ne tash jemi duke e përfunduar edhe një studim dhe kryesisht shqetësimet e investitorëve lidhen me burokracinë dhe me sundimin e ligjit në përgjithësi, ka thënë ai.
Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane, ka thënë se nga mosfunksionimi i ligjit burojnë edhe problemet tjera, siç është korrupsioni dhe parregullsitë tjera në aktivitetet e prokurimit publik.
E rëndësishme, sipas tij, është që pas hapjes së një biznesi në Kosovë, qoftë i huaj apo vendor, të mos pengohet më pas dhe të mos kërcënohet në forma të ndryshme.
Nëse i shikojmë emrat e investitorëve që kemi pasur në të kaluarën para disa viteve, kur është shpallur për herë të parë tenderi për Termocentralin e ri, kur është bërë oferta e parë për PTK-në, cilësia e investitorëve të interesuar për tu përfshirë në këto oferta ka qenë shumë më e mirë sesa është sot. Fakti që ata nuk i kemi tani të pranishëm ose të interesuar për projekte të tilla do të thotë se ata janë larguar për ndonjë arsye të caktuar, ka thënë Zeka.
Rënia e interesimit apo largimi i investitorëve, sipas Agim Shahinit, nga Aleanca Kosovare e Biznesit është si rezultat i politikave jo të mira për të bërë biznes në Kosovë. Ai ka thënë se Kosovë mungon një revolucion i reformimit të politikave tregtare dhe fiskale.
Mungon për arsye se këto projeksionet buxhetore aktuale janë duke funksionuar mirë në këtë formë dhe askush nuk po ka guxim që të bëjë këtë revolucion, për këtë arsye ne kemi edhe investitorë më pak, ka thënë ai.
Arsyet e tjera, sipas Shahinit, janë edhe krizat e ndryshme që po e përcjellin Kosovën dhe mosfunksionimi i rendit dhe ligjit. Ligji për investime të huaja në Kosovë, kishte hyrë në fuqi në vitin 2006, ndërkaq së fundi janë bërë disa ndryshime të këtij ligji, i cili është shqyrtuar në Kuvendin e Kosovës në dy seanca, por nuk është miratuar.
Miratimi i këtij ligji nuk ishte bërë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, për arsye se ishte thënë se ky ligj diskriminon investitorët e brendshëm dhe Qeverinë e Kosovës e bën vartës të investitorëve të huaj.
Me këtë ligj, kompanitë e huaja që investojnë në Kosovë, përveç që do të paguajnë më pak tatim, sigurohen nga Qeveria edhe në aspektin financiar në rast të ndonjë problemi. Derisa një gjë e tillë nuk vlen për investitorët e brendshëm.
/Zëri/