VV: Qeveritarë! Shisni veturat, jo KEDS-in, PTK-në e Trepçën
Prishtinë, 5 qershor - Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! ndërmorën një aksion simbolik, duke shkruar në veturat e Ministrit dhe zëvendësministrit të Zhvillimit Ekonomik parullat: Shite veturën, jo PTK-në, Shite veturën, jo KEDS-in dhe Shite veturën, jo Trepçën.
Gjatë aksionit, aktivisti Adonis Tahiri tha se përderisa luksi i pushtetarëve po rritet, shteti dhe qytetarët po varfërohen.
Kjo ministri sipas tij ka nënshkruar shumë kontrata të dyshimta e dëmshme, duke e shpronësuar popullin e Kosovës.
"Të kujtojmë edhe njëherë që Distribucioni i Kosovës u shit për vetëm 26 milion euro, me çrast u kalua nga monopoli shtetëror në monopol privat, nën pretekstin e ekonomisë së tregut të lirë. Bazë e tregut të lirë është konkurrenca. E monopoli pra, është e kundërta e saj", theksoi Tahiri.
Ai theksoi se 75% të aksioneve të PTK-së, apo pjesa fitimprurëse e PTK-së, u shitën për 242 milion euro. Atë e mori AXOS, një fond investiv, që nuk i dihet as pronari e as burimet e të ardhurave.
Ajo që dihet deri tash për AXOS-in, e që e bën edhe më skandaloz këtë transaksion, është që AXOS i ka vetëm 2 punëtor, dhe vetëm 155.000 euro vlerë të aseteve, aq sa kushton një shtëpi në një lagje të Prishtinës.
Tahiri theksoi se në të njëjtën rrugë po shkon edhe gjiganti metalurgjik i Kosovës, Trepça. Në rast se në Trepçë do të investoheshin vetëm 200 milion euro, ajo do ti krijonte rreth 10.000 vende të reja pune nëpër sektorët përkatës që kanë të bëjnë me xehet e industrinë.
"Por jo. Ky investim nuk do të bëhet nga këta qeveritarë, ngase qëllimi i tyre nuk është rigjenerimi i publikes, rritja e prodhimit dhe zhvillimi ekonomik, por shkatërrimi i ndërmarrjeve deri në privatizimi i tyre", pohoi ai.
Të gjitha këto asete strategjike, janë fitimprurëse dhe të domosdoshme për shtetin e Kosovës.
Janë bazë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, që në shumë mënyra i sjellin të hyra shtetit.
"Prandaj, meqë veturat luksoze të këtyre politikanëve, as nuk prodhojnë e as nuk japin dividendë, por përkundrazi vetëm i shpenzojnë paratë e buxhetit të varfër të Kosovës, ne kërkojmë që të shiten ato, e jo KEDS-i, PTK-ja e Trepça, nënvizoi Tahiri.