28 Prill 2024

VV: Privatizimi largoi nga puna 76 mijë punëtorë

Prishtinë, 28 shtator - Aktivistë të Vetëvendosjes realizuan të premten një aksion simbolik në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, me ç’rast në një mur të improvizuar shkruan 76 mijë vija, sa është numri i punëtorëve të mbetur pa punë, sipas kësaj lëvizjeje, nga procesi i privatizimit në Kosovë.

Gjatë këtij aksioni, sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj, tha se ky mur i ndërtuar nga aktivistët paraqet njërën nga pasojat që ka sjellë privatizimi në Kosovë.

“Secila vijë e shënuar në këtë mur simbolikisht përfaqëson një punëtor që ka humbur vendin e punës si pasojë e privatizimit. Shuma e të gjitha vijave tregon numrin në total të punëtorëve që kanë humbur vendin punës, 76 mijë sosh. Humbja e këtyre vendeve të punës ka rrezikuar mirëqenien e rreth 12,667 familjeve në Kosovë. Privatizimi ka rezultuar në shkatërrimin e vendeve të punës, që i ka ulur të ardhurat për familje dhe si pasojë ka rrezikuar shkollimin e fëmijëve dhe kujdesin shëndetësor në këto familje”, u shpreh ai.

Privatizimi e ka shkatërruar industrinë duke ia ndërruar destinimin shumicës së ndërmarrjeve prodhuese duke i shndërruar nga ndërmarrje prodhuese në hotele për ahengje, nga toka bujqësore në ndërtime betoni, theksoi Molliqaj.

“Plani i qeverive të Kosovës, që nga pas lufta, për zhvillim ekonomik përmes privatizimit nuk e zhvilloi vendin, por, për më keq e degradoi. Ky model na ka rrezikuar edhe potencialin tonë për zhvillim ekonomik, duke na kthyer në një vend që vetëm konsumon. Procesi i privatizimit është faktori kryesor që Kosova sot të renditet e para në Evropë për nga varfëria dhe papunësia. Pra, papunësia dhe varfëria ka adresë të qartë e ky është privatizimi i egër”.

Sipas Vetëvendosjes, procesi i privatizimit përveç që ka lënë pa punë 76 mijë veta, ka shkatërruar prodhimin dhe industrinë në njërën anë, dhe nga ana tjetër ka sjellë pasurimin e paligjshëm të dhjetëra politikanëve dhe familjarëve të tyre.

“Ne na duhet të mësojmë nga vendimet e gabuara që janë marrë në të kaluarën, pasojat e të cilave po i vuajmë të gjithë si shoqëri. E në vend që të mësojmë prej këtyre gabime, politikanët që janë sot në pushtet po na kërkojnë që t’i përsëritim ato, kësaj radhe me pasoja edhe më të rënda sepse flitet për privatizimin e ndërmarrjeve e të sektorëve më të rëndësishëm për zhvillimin e vendit: PTK, KEK, dhe Trepçë”.

“Privatizimi i këtyre ndërmarrjeve duhet ndalur në mënyrë të evitohet një katastrofë ekonomike sot, në mënyrë që nesër brezit të ri mos t’i trashëgojmë veç varfërinë”, theksoi Dardan Molliqaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)