VV: Kryetari i Gjilanit punëson bashkëshorten e tij pa konkurs
Prishtinë, 27 shkurt - Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosjnë Gjilan, Ismajl Kurteshi, kritikoi sot kryetarin e komunës për nepotizmin në punësim, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.
Kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa, e ka punësuar bashkëshorten e tij në Drejtorinë e Arsimit pa konkurs, duke i shkelur të gjitha procedurat e parapara me ligj\", ka theksuar Kurteshi.
Sipas nenit 8, të kreut të dytë, të Ligjit të Punës nr. 03/L 212: Punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon në punë një punëkërkues.
\"As kjo normë ligjore, e as kriteret dhe procedurat ekzistuese për punësim nuk vlejnë për Kryetarin e Komunës së Gjilanit, i cili është i njohur si kampion i shkeljeve në fushën e punësimit, por jo vetëm në këtë fushë, u shpreh Kurteshi.
Ai shtoi se në muajin gusht të vitit 2011, për shkak të tejkalimit të numrit të të punësuarve, rrogat e shërbyesve civil u vonuan një javë.
Kryetari Qemajl Mustafa ka krijuar kategori të jashtëligjshme të të punësuarve si Lista e Kryetarit, Vullnetarët etj., ku vetëm në fund të vitit të kaluar i kishte larguar nga puna mbi 60 të punësuar, pa procedurë, ashtu edhe siç i kishte punësuar me SMS, madje edhe me urdhëresa me shkrim e me gojë. Në fillim të këtij viti ai kishte pranuar se i ka punësuar rreth 25 të punësuar pa konkurs dhe pa asnjë procedurë e asnjë kriter, tha ndër të tjera Kurteshi.
Këto punësime të paligjshme nuk bëhen për nevoja të Komunës, por për përfitime politike të Kryetarit të Komunës dhe rahatinë e anëtarëve të familjes, miqve e shokëve të tij. Përkundër faktit që Gjykata e ka konstatuar shkeljen nga ana e Komunës, edhe më tutje po tolerohen dhe nuk po merren masa ndaj përgjegjësve për këto shkelje.
Në këtë konferencë u fol edhe për borxhet që ua ka Komuna shumë të punësuarve, të cilët nuk ka arritur ti fus në listën e pagave, edhe pse mjete për pagesë i ka marrë edhe nga mjetet e dedikuara për investime kapitale.