VV: Kosova, vendi i pasur i varfërisë së skajshme
Prishtinë, 4 qershor - Komiteti për Politikë Sociale i Lëvizjes Vetëvendosje! organizoi tryezë mbi statistikat e gjendjes socio-ekonomie ne vend, me temën Kosova-vendi i pasur i varfërisë së skajshme.
Panelistë në këtë tryezë ishin drejtuesi i Komitetit për Politikë Sociale, Faton Topalli, drejtori i hulumtimeve në Institutin GAP, Jeton Mehmeti, si dhe Armend Shkoza nga Komiteti për Politikë Sociale.
Tryezën e hapi Faton Topalli, i cili foli për krizën e varfërisë e cila po shndërrohet në krizë të urisë në Kosovë tha se Komiteti për Politikë Sociale i Lëvizjes Vetëvendosje duke u mbështetur në regjistrimin e popullsisë, numrin e banorëve në komuna, buxhetin qendror për asistencë sociale dhe të dhënat për asistencës sociale në komuna, ka nxjerr shifra që flasin për një gjendje alarmante të varfërisë ekstreme.
Shumë qytetarë të Kosovës sipas tij jetojnë me 1 herë më pak mjete materiale nga ato që konsiderohen nga Banka Botërore si varfëri e skajshme.
"Në regjionin e Mitrovicës 33.111 qytetar, apo 13.89 % e popullsisë është e detyruar ta kalojnë ditën me 0.53 cent në ditë, në atë të Prishtinës 38790 qytetarë me nga 49 cent në ditë. Situata është pak a shumë e ngjashme edhe në Ferizaj, Gjakovë, Pejë dhe Gjilan, u shpreh Topalli, duke theksuar se varfëria në Kosovë prapë se prapë është shumë më e lartë sesa shifrat që prezantohen zyrtarisht.
Jeton Mehmeti nga Instituti GAP, foli për papunësinë e të rinjve në Kosovë. Ai tha se papunësia është fenomen që sjellë pasoja të rënda për shoqërinë për shoqërinë në Kosovë.
Duke e pasur parasysh që gjysma e popullsisë në Kosovë është nën moshën 25, atëherë është e qartë se shumica e tyre janë të papunë. Banka Botërore para 5 viteve ka bërë një hulumtim, në të cilin thuhet se gjatë 5 viteve të kaluara kanë hyrë në tregun e punës 200.000 të rinj, nga të cilët vetëm 60.000 janë punësuar, tha Mehmeti.
Ai shtoi Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka strategji për rritje ekonomike e punësim, me çrast përmendi edhe hapjen e universiteteve të reja, që duhet të jenë në kuadër të një risie e zhvillimi, e jo të njëjta sikur universiteti aktual.
Lidhur me informalitetin në tregun e punës në raport me numrin e të papunëve, foli Armend Shkoza. Ai tha se të dhënat e fundit lidhur me prirjen e mjerimit në Kosovë, shënojnë një veçori, pasi që për të vetmin rast e rendit Kosovën në 10-shën e parë ndër vendet të tjera botërore.
Fakti se këto të dhëna për vite me radhë janë kamufluar dhe janë neglizhuar vazhdimisht nga Qeveria, tregon në mënyrë më të qartë se si cili është orientimi real i kësaj nomenklature politike e cila e udhëheq vendin, tha Shkoza, i cili shtoi se në krahasim me vendet e rajonit, niveli i papunësisë dhe potencialit të fuqisë punëtore në Kosovë është dukshëm më i lartë.
Pas përfundimi të fjalëve të panelistëve, u hap debati tek të pranishmit e tjerë. Sejdi Halimi foli për privatizimin në Kosovë, privatizim ky i cili i la 76.000 punëtorë të pa punë.
Privatizimi që është bërë në Kosovë, ka shkatërruar ekonominë dhe fuqinë punëtore. Përmes privatizimit, numri i të papunëve në Kosovë po rritet çdo ditë e më shumë, u shpreh ai.
Profesori i pensionuar i makroekonomisë, Musa Limani, tha se Qeveria e Kosovës tash e sa vite po i thotë të pavërteta popullit të Kosovës.
Limani ndër të tjera theksoi se asnjë qeveri e pas luftës nuk ka pas plan për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, gjë të cilën e vërteton edhe deficiti tregtar që po thellohet çdo ditë e më shumë.
Lidhur me gjendjen e mjerueshme të pensionistëve folën Nafije Kuqi dhe Riza Shala, të cilët kritikuan Qeverinë lidhur me skemat pensionale që po përdor.
Pensionistët kontribut pagues marrin nga 120 euro, me arsyetimin se nuk ka para. Këto nuk janë pensione por ndihma sociale, tha Kuqi.
Shpend Kursani nga instituti KIPRED tha se privatizimi i deri tashëm që është bërë në Kosovë, edhe një neoliberal do ta bënte të dukej si i majtë.
Ai kërkoi zgjidhje nga Lëvizje Vetëvendosje! për këtë çështje, zgjidhje të cilën ia tha shefi i Grupit parlamentar, Visar Ymeri, i cili tha se secila kontratë e secilit privatizim që është bërë në Kosovë, duhet të hetohet nga një gjyqësor i pavarur.
Nga diskutimet që u bënë në këtë tryezë, u pa se Qeverisë i mungon një strategji e veprimit për rritjen e punësimit në Kosovë, dhe nëse si të tillë e kanë menduar privatizimin e ndërmarrjeve publike e shoqërore, atëherë kjo strategji ka qenë komplet e gabuar dhe ka prodhuar efektin e kundërt, pra rritjen e papunësisë.