VV: Kontrabandohet rishikimi i buxhetit në Fushë Kosovë
Prishtinë, 3 qershor - Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se në një mbledhje të jashtëzakonshme, pa takim paraprak të Komitetit për Politikë dhe Financa, pa materiale të mjaftueshme sqaruese, me dy faqe numrash të paqartë, ekzekutivi i Komunës së Fushë Kosovë e kontrabandoi në Kuvendin Komunal rishikimin e buxhetit për vitin 2015.
Nga të gjitha projektet e rishikuara, fondet e parashikuara për investime kapitale që sigurojnë mirëqenie për qytetarët sipas Vetëvendosjes transferuan në mallra dhe shërbime për luksin e komunarëve.
Arsyetimi i ekzekutivit ishte që këto shkurtime për investime kapitale duhet të shkurtohen sepse prioritet i Komunës është pagimi i qirasë së objektit ku vepron administrate komunale.
Lëvizja Vetëvendosje! në Fushë Kosovë problemit të objektit komunal ka propozuar t`i jepet zgjidhje me bartjen e administratës komunale në objekte të tjera publike , gjë që e ka ngritur edhe në asamble komunale për diskutim qysh vitin e kaluar.
\"Mosangazhimi i komunës për të bërë zgjidhje tani na ka sjellë në një situatë ku shkurtohen investimet për zhvillimin e qytetit dhe paratë e qytetarëve shfrytëzohen për qira, duke e tjetërsuar qëllimin themelor të tatimit ngase qytetari paguan tatim për shërbime të cilat do t`i përktheheshin në mirëqenie.\"
Anashkalimi i Komitetit për Politikë dhe Financa u ka pamundësuar subjekteve politike që paraprakisht t`i japin propozimet për rishikim të buxhetit dhe për diskutim në kuvend.
Këshilltarët e Lëvizjes Vetëvendosje! propozuan që me këtë rishikim të përfshihen projekte si në vijim :
- Investime në zgjerimin e sistemit të ujitjes;
- Ndërtimi i shkollës në fshatin Nakaradë;
- Renovimi dhe funksionalizimi i shtëpisë së kulturës në Fushë Kosovë;
- Investime në QKMF, në Fushë Kosovë.
Pasi nuk iu dha fjala të cilën e kërkoi këshilltari Ylber Islami dhe u pamundësua debati i mëtutjeshëm, propozimet e lartpërmendura nuk u hodhën as në votim nga Kryesuesi i Kuvendit, Fadil Krasniqi.
Lëvizja Vetëvendosje! konsideron që kjo mënyrë e procedimit dhe ndarjes së buxhetit nga ana e ekzekutivit të Komunës së Fushë Kosovës, tregon papërgjegjshmëri totale ndaj qytetarit dhe trajtim të buxhetit të komunës si fond personal.