VV: Komuna e Gjakovës vazhdon me punësime të militantëve
Prishtinë, 2 dhjetor - Lëvizja Vetëvendosje! Qendra Gjakovë ka bërë të ditur se dukuria e emërimeve dhe favorizimeve partiake nga qeverisja \"e re\" e Komunës së Gjakovës vazhdoi edhe gjatë javës së kaluar, përkatësisht gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve për ndërmarrjet publike.
Publikimi i emrave të anëtarëve të zgjedhur në rrjetet sociale, ndonëse me të drejtë shkaktoi reagim të menjëhershëm të qytetarëve, një gjë e tillë mbeti nën hije për shkak të festave të nëntorit.
VV thekson se pas një kohe mjaft të gjatë, javën e kaluar u përzgjodhën anëtarët e Bordit të Drejtorëve për ndërmarrjet publike \"Stacioni i autobusëve\", \"Ngrohtorja e qytetit\" dhe \"Çabrati\", ndërmarrje këto jetike për funksionimin normal të qytetit.
\"Duke i ditur problemet dhe keqmenaxhimin në të kaluar si dhe situatën e rëndë me mbeturinat dhe ngrohjen qendrore të qytetit, një përzgjedhje e pandikuar politikisht dhe profesionale është kërkesa minimale që do të hapte rrugë për një rifunksionalizim të këtyre ndërmarrjeve.\"
\"Përkundër pritshmërive dhe premtimeve të kësaj qeverisje për transparencë dhe profesionalizëm, edhe në këto konkurse vazhdoi rehatimi i militantëve partiakë, ashtu siç ka ndodhur edhe me konkurset e arsimit, me punëtorët të angazhuar me kontratë mbi vepër, e të tjera. Është dëshpëruese që vendet edhe ashtu të pakta të punës, por shumë të rëndësishme, janë malli në pazaret e koalicionit lokal\", thekson VV.
Në bordin e ndërmarrjes \"Ngrohtorja e Qytetit\", dy nga katër të përzgjedhurit janë partiakë. Malush Tullumi, si aktivist dhe ish kandidat për deputet nga LDK, dhe Ndue Nikaj, i cili është babai i ish ministrit Bernard Nikaj nga AKR. Edhe në bordin e ndërmarrjes \"Çabrati\", dy nga katër të përzgjedhurit janë partiakë. Agon Dobruna, i cili tash e sa kohë është sekretar i degës së PDK-së në Gjakovë, dhe Ardita Rizvanolli, e cila është anëtare dhe ish kandidate për deputete nga LDK.
Se i tërë ky proces është i ndikuar politikisht, tregon edhe përvoja e përfaqësuesit të vetëm të Lëvizjes Vetëvendosje! në komisionin vlerësues për ndërmarrjen \"Stacioni i autobusëve\". Përgjatë tërë procesit ka pasur tendenca për ndërhyrje dhe favorizime nga nivele të ndryshme.
Në emër të Kryetares së Komunës, nga asamblistët, nga shefat e degëve të partive në pushtet, janë paraqitur lista joformale të atyre do të duhej të pranoheshin, të cilat edhe mund t\'i dëshmojmë. Nga ata pak kandidatë që kanë konkurruar, janë zgjedhur më të mirët. Mirëpo edhe në këtë bord, tre nga katër të pranuarit janë partiakë. Përkatësisht Mahmud Rizvanolli dhe Jeton Deda nga LDK, si dhe Florim Salihaj nga PDK.
Tentimet e shumta për ndikim dhe ndërhyrje në komisionin ku ne kemi qenë prezentë janë pamundësuar nga përfaqësuesi ynë. Mund të paramendojmë se sa e rëndë ka qenë situata në komisionet që janë përbërë kryesisht nga eksponentë të pushtetit, ku ne nuk kemi pasur përfaqësues. Partizimi i vendeve të punës në Komunë është dukuri përmes së cilës është dalluar keqqeverisja e kaluar e AAK-së. Fatkeqësisht, një gjë e tillë po përsëritet edhe në qeverisjen që ka propaganduar ndryshimin. Fakti që më shumë se gjysma e të përzgjedhurve në borde janë eksponentë partiakë, disa edhe me pozita drejtuese, tregon se qytetarët kanë humbur besimin në korrektësinë e konkurseve komunale për vende pune.
\"Në kohën kur qindra qytetarë po e lëshojnë Gjakovën nga venitja gjithnjë më e madhe e shpresës për ndryshim, qeverisja e re në vend të zhvillimit ekonomik po e risjell fenomenin e punësimit përmes librezës partiake.\"
\"Zhgënjimi i pritshmërive nga qeveria lokale aktuale është edhe një arsye e fortë e ikjes së banorëve nga Komuna jonë. Është momenti i fundit që të largohemi nga propaganda mediale dhe ajo e rrjeteve sociale, dhe t\'i kthehemi projekteve konkrete zhvillimore aq shumë të propaganduara në fushatë\", thekson në fund Vetëvendosje.