VV: Buxheti i papërgjegjshmërisë, shpërfilljes dhe joprofesionalitetit
Prishtinë, 14 nëntor - Udhëheqes të Lëvizjes Vetëvendosje kritikuan qeverinë për projektbuxhetin e vitit 2013, duke thënë se ky buxhet është në interes të interesave afatshkurtra të pushtetit, e jo në interes afatgjatë për zhvillimin ekonomik të Kosovës
Udhëheqes të Vetëvendosjes thanë se projektbuxheti i vitit të 2013 nuk ka koncept zhvillimi, është buxhet i asfaltit dhe betonit, e jo buxhet i investimeve në sektorët prodhues.
Deputeti Visar Ymeri, tha se ky projektbuxhet parasheh që pjesa më e madhe e investimeve kapitale të shpenzohen në një projekt të vetëm, atë të autostradës dhe se bilancin përfundimtar e bazon në privatizimin e PTK-së, që tani është planifikuar të jetë kusht edhe për fillimin e autostradës së re në drejtim të Hanit të Elezit.
Ky buxhet është në interes të interesave afatshkurtër të pushtetit, e jo në interes afatgjatë për zhvillim, sepse kjo qeveri nuk e di, ose nuk do tia di se çfarë është zhvillimi, nuk di as çka është planifikimi, sepse secili buxhet që sillet në Kuvend është në shpërputhje me kornizën afatmesme të shpenzimeve , tha Ymeri.
Besnik Bislimi nga kjo lëvizje, u fokusua në tabelat buxhetore. Ai kritikoi qeverinë që edhe më tutje buxhetin e mbështet në masën 75 për qind në të hyrat nga doganat, dhe bëri vërejtje edhe sa i përket shpenzimeve kapitale.
Nga totali i shpenzimeve te dedikuara për investime kapitale, 40 për qind janë alokuar për ndërtim të autostradës. Kurse vetëm 2.9 milionë ose me pak se 0.5% janë dedikuar për ndërtime të reja të rrugëve, tha Bislimi.
Sipas Bislimit, mungesa e seriozitetit vërehet sa i përket planifikimit në nivelin qendror dhe atij lokal edhe për vitet 2014 dhe 2015, ku në shumicën e rasteve, shifrat për këto vite janë identike për secilin vit.
Përfundimisht sipas zyrtarëve të kësaj lëvizjeje, një buxhet i tillë me gabime të shumta, madje edhe gjuhësore, nuk do të votohet nga Vetëvendosja, por nuk do të duhej të votohej as nga partitë tjera. Përveç Vetëvendosjes, vërejtje rreth këtij dokumenti kanë paraqitur edhe parti tjera opozitare.
Ndryshe, projektbuxheti i vitit 2013 është në vlerë prej 1 miliard e 586 milionë euro. Shqyrtimi i parë i tij pritet të bëhet nesër në Kuvendin e Kosovës.