VV: Buxhet 2013 është ndërtuar pa u ditur prioritetet
Prishtinë, 14 janar - Vetëvendosje! mbajti të hënën, konferencë për media në lidhje me prioritetet e shpallura për vitin 2013 nga Kryeministri Hashim Thaçi duke i lexuar ato sipas Buxhetit 2013 po ashtu u paraqitën të metat dhe kundërthëniet në ligjin për Buxhetin si dhe shpenzimet qeveritare të bëra në emër të këtij ligji.
Këto prezantimi i bënë Dardan Sejdiu, anëtar i Kryesisë dhe Besnik Bislimi drejtues i Komitetit për Ekonomi në Lëvizjen Vetëvendosje!.
Dardan Sejdiut ka thënë se Qeveria e Kosovës ka dërguar në Kuvend buxhet i cili është ndërtuar pa u ditur prioritetet.
Për më shumë prioritetet e proklamuara javën e kaluar sipas tij nuk janë në përputhje me çfarë paraqitet në buxhet, pra janë prioritete të pabuxhetuara.
Planifikimi i buxhetit këto 13 vite siç ka thënë Sejdiu asnjë herë nuk ka qenë i bazuar në ndonjë strategji zhvillimore ekonomike dhe gjithmonë ka qenë planifikim ad hoc.
\"Për më shumë gjithmonë ishte dhe vazhdon të jetë në kundërthënie me kornizën afatmesme të shpenzimeve. Edhe sivjet, edhe pse jo në qendër skijimi, Qeveria e Kosovës prezantoi prioritetet të cilat janë të paplanifikuara në buxhet, rrjedhimisht janë prioritete që nuk realizohen, ka theksuar ai.
Nderkaq Besnik Bislimit po nga kjo parti ka theksuar se Vetëvendosej ka tërhequr vërejtjet për inkonsistencat në vetë ligjin për buxhetin, për paqëndrueshmërinë buxhetore si rezultat i fokusimit në grumbullimin e të hyrave tatimore kryesisht nëpër pikat doganore, kundërthëniet në pozicionin e pagave dhe mëditjeve, diferencat e palogjikshme në paga nëpër ministri dhe agjenci shpenzuese, për neglizhimin e bujqësisë, edukimit dhe shëndetësisë gjatë alokimit të mjeteve buxhetore; për politizimin e skajshëm të mbrojtjes sociale për qëllime zgjedhore, e para së gjithash kemi kritikuar alokimin e pakontrolluar të buxhetit për shpenzime kapitale, shpenzime këto që përkundër shifrave, në shikim të parë impresive, po rezultojnë pa asnjë ndikim në rritjen ekonomike.
\"Duke iu referuar tabelave buxhetore kemi dokumentuar mungesën e minimumit të vullnetit për planifikim afatmesëm gjatë përgatitjes së buxhetit përmes përsëritjes së thjeshtë të pozicioneve shpenzuese për një numër të madh të ministrive, komunave dhe agjencioneve shpenzuese\", ka theksuar Bislimi.
Në anën tjetër për të krijuar përshtypjen fiktive se Qeveria po i kushton vëmendje të shtuar investimeve kapital edhe njëkohësisht po mban nën kontroll shpenzimet për mallra dhe shërbime, planifikuesit buxhetor nuk kanë hezituar që shpenzime të ndryshme për mallra e shërbime i pasqyrojnë si investime kapitale.
Bislimi ka theksuar se po hyjmë në vitin e tretë radhazi gjatë të cilit Qeveria alokon mbi 40% të mjeteve të dedikuara për investime në një projekt të vetëm, atë të autorrugës drejt Shqipërisë. Padyshim se ky përbën një rast unik edhe në rrafshin ndërkombëtar për mënyrën e shpenzimit të parasë publike, mbase po aq unik si çështë edhe vetë vizioni zhvillimor i Qeverisë.