16 Janar 2025

VV: Bedri Hamza të drejtojë financat e PDK-së, jo të Kosovës

Prishtinë, 13 mars - Sot Lëvizja Vetëvendosje! mbajti konferencë për media në lidhje me kandidaturën për Guvernator të Bankës Qendrore, e cila do të paraqitet të enjten, 14 mars, në Kuvendin e Kosovës.

Kandidatura që ka mbështetjen e partisë në pushtet është ajo e ish Ministrit të Financave, i dorëhequr vetëm pak javë më parë nga ky post.

Dardan Sejdiu nga Vetëvendosje ka thënë së kandidati Bedri Hamza, anëtar dhe funksionar i Partisë Demokratike deri vonë, jo vetëm që nuk plotëson kushtin kryesor të paanshmërisë partiake, por dështon plotësisht edhe në plotësimin e kritereve profesionale për këtë post, kritere të cilat lidhen me dijeni dhe aftësi të larta në fushën akademike e profesionale në drejtim të sistemit financiar rol, të cilin ka sipas ligjit Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës.

"Propozimi i një kandidati të tillë do të thotë agresion i hapur ndaj funksionimit të sistemit financiar dhe Bankës Qendrore dhe praktikisht uzurpim nga Kryeministri edhe të këtij sektori", ka theksuar Sejdiu.

Banka Qendrore e një vendi, ashtu siç parashihet nga direktivat dhe traktati i BE-së, konkretisht Neni 130, duhet të jetë e pavarur nga presionet, këshillimi apo ndikimi nga Qeveria apo cilido organ tjetër në vendimmarrjen e saj.

Çdo lloj veprimi i këtij institucioni duhet të jetë tejet transparent, derisa përgjegjësia duhet të jenë shembull udhëheqës për të gjithë sistemin në të cilin operon. Në këtë kuptim çdo lloj i ndikimit shkel mbi pavarësinë e këtij institucioni.

Sejdiu ka theksuar se ndikimi në rastin konkret, pra me përzgjedhjen e Bedri Hamzës si kandidat për Guvernator, do të thotë që Kryeministri ka në plan të drejtojë de facto Bankën Qendrore, pra të zgjasë duart në të gjithë paratë, financat e Kosovës.

"Kështu, zaptimi qeveritar e partiak i Bankës Qendrore nënkupton kontrollin e drejtpërdrejtë mbi fondin e privatizimit, në rregullat për sistemin pensional,  në kursimet e qytetarëve, kontrollin në rregullat e sistemit financiar në Kosovë, kontrollin tek licensat që çdo operator kërkon nga Banka qendrore, financiar për t’u futur në industrinë e financave dhe në sektorë specifike siç është ai i sigurimeve", ka theksuar ai.

Vetëvendosje sipas Sejdiut gjykojs se përpjekja për kapjen e sistemit financiar me anë të Guvernatorit të Bankës nga Hashim Thaçi është një rrezik real për funksionimin dhe mbarëvajtjen e të gjithë sistemit financiar të vendit.

Për këtë arsye, Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje! nuk do të legjitimojë kandidaturën e këtij partiaku të PDK-së për Bankën Qendrore, në Kuvendin e Kosovës, pra nuk do të qëndrojë në sallë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)