10 Maj 2024

VV: Aferat e korrupsionit nga privatizimi i qeverisë

Prishtinë, 20 shtator - Ditëve të fundit publiku kosovar ka mësuar për akuzat dhe dëshmitë e fundit në lidhje me procesin e privatizimit të Hotelit Grand.

Kësaj radhe, të përfshirë në akuza ishin edhe nivelet e larta të qeverisë së Republikës së Kosovës. Por edhe të akuzuarit në dëshmi ishin po ashtu përfaqësues të nivelit të lartë politik të qeverisë së Republikës së Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Behxhet Pacolli, në dëshminë e tij të dhënë në prokurori kishte treguar se si vitin e kaluar, zëvendësministri i financave Astrit Haraqia kishte vizituar Pacollin në shtëpinë e tij siç kishte bërë edhe shumë herë më parë, por kësaj radhe kishte kërkuar, në emër të të tjerëve 3.6 milion Euro nga Pacolli për ta përfunduar “punën” e Grandit.

Afera e Grandit që përflitet shumë gjatë në procesin e korruptuar të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore kësaj radhe ka përfshirë edhe emra nga gjithë qeveria, vetëm pak muaj pas vdekjes së Kryetarit të Bordit të Agjencisë së Privatizimit të Kosovës, Dino Hasanaj në rrethana krejtësisht të dyshimta.

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se sipas kësaj deklarate i bjen që zëvendëskryeministri Pacolli e ka refuzuar zëvendësministrin, por nuk e kishte lajmëruar fare Haraqinë tek organet e drejtësisë.

Përkundrazi e kishte lënë këtë njeri, sipas tij të korruptuar, që ta kryejë detyrën e tij si zëvendësministër i Financave, duke ja lënë në përgjegjësi menaxhimin e buxhetit të Kosovës. 

Kjo, si duket sipas Vetëvendosjes është e zakonshme për qeverinë e Republikës së Kosovës.  Gjëra të tilla jo vetëm që nuk raportohen, por edhe vlerësohen.

"Afera e Grandit është vetëm një prej aferave që zbulojnë emra qeveritarë në keqpërdorimet e buxhetit të shtetit, dhe të pasurive të tjera publike e shoqërore të Kosovës", thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes. 

Në anën tjetër nga qytetarët e Kosovës po kërkohet të jenë të durueshëm e të qetë në kohën kur çdo gjë para tyre po vidhet, falet, keqpërdoret e shitet.

Lëvizja Vetëvendosje përsërit kërkesën e saj për largimin e kësaj qeverie për shkak të arsyeve që i kemi përmendur shumë herë. 

Zbulimet e fundit sipas Vetëvendosjes janë vetëm edhe një vulë në dosjen e trashë të krimit që kjo qeveri po e kryen ndaj popullit të Republikës së Kosovës. 

"Zbulimet e krimeve nuk do të ndalen, por duhet ta ndalojmë sa më shpejtë dëmin dhe krimin e vazhdueshëm që kjo qeveri po e bën."
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)