VV: Abuzimet me fondet publike në Komunën e Deçanit
Prishtinë, 19 mars - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Deçan, në bazë të hulumtimeve për problemet e shumta që na paraqesin qytetarët, banorë të kësaj komune dhe në vazhdën e monitorimeve të shumta që jemi duke bërë në lidhje me keqpërdorimet me financat publike, kemi arritur pas shumë përpjekjesh të marrim Raportin mbi Shpenzimet për Menaxhimin e Situatës Emergjente të Reshjeve të borës.
Ky raport ka për qëllim të bëjë sa më transparente shpenzimet për menaxhimin e Situatës Emergjente të krijuar pas reshjeve të mëdha të borës gjatë muajit shkurt të vitit 2012 në Komunën e Deçanit.
"Nga analiza që i kemi bërë këtij raporti, janë vërejtur shumë parregullsi. Komunës së Deçanit dhe banorëve të saj, më saktë taksapaguesve të kësaj komune, keqmenaxhimi i kësaj situate i ka kushtuar shpenzime në derivate, 30.647 litra naftë dhe 263 litra benzinë e cila, e përkthyer në vlerë monetare është 41.594.87 euro", thuhet në njoftimin për media të Vetëvendosjes.
Gjatë kësaj periudhe Vetëvendosja bën të ditur se ka reaguar për mospastrimin në kohë të borës dhe zvarritjet e panevojshme për fillimin e mësimit nëpër shkolla por edhe kjo nuk e ka vënë në siklet dhe aspak para përgjegjësisë kryetarin e Komunës, Rasim Selmanaj dhe zyrtarët e tjerë të papërgjegjshëm të kësaj komune.
Furnizimi me derivate nuk është bërë sipas nevojave dhe kritereve por si zakonisht, mbi baza partiake. Shumë prej militantëve të AAK-së të cilët kanë vërshuar gjatë atyre ditëve (prej datës 4 deri në 18 Shkurt 2012) drejt pikës së karburantit të kompanisë "GLOBAL PETROLEUM" e cila gjendet në Rastavicë, për tu furnizuar sa më shumë e sa më shpejtë me derivate, jo vetëm që nuk janë operatorë privat të liçensuar por nuk disponojnë as mjete apo automjetet përkatëse për pastrimin e rrugëve nga bora.
"Me anë të kësaj komunikate, i bëjmë thirrje Agjensionit kundër Korrupsionit dhe Prokurorisë komunale që të nisë hetimet për këtë rast, i cili lidhet me kryetarin e Komunës së Deçanit Rasim Selmanaj si përgjegjësi kryesor dhe kryemenaxher i shërbimeve financiare të kësaj komune.
Në këtë listë të përbërë nga pjesa dërrmuese nga militante të AAK, gjendet të shnuara sipas datave, përkatësisht edhe shuma në litra e derivateve. Një pjesë e konsiderueshme e personave të lartëpërmendur nuk kanë paisje apo mjete dhe automjete për pastrimin e borës edhe pse janë furnizuar me derivate...
Qytetarët e kësaj komune, mund ta vleresojnë më se miri se kush prej këtyre përfituesve e ka arsyetuar furnizimin me derivate dhe kush është përfitues i padrejtë me derivate.
Në listën e dorëzuar nga kompania "GLOBAL PETROLEUM", ka edhe shumë parregullsi të tjera për të cilat do t`i drejtohemi organeve kompetente. Shumica e personave të furnizuar me derivate nuk e kanë plotësuar kolonën e përcaktuar për targat e mjetit.
Nga gjithsej 47 persona fizikë dhe operatorë të liçensuar, të cilën kanë shkuar për tu furnizuar 110 herë brenda harkut kohor prej 13 ditësh vetëm në 10 raste gjenden të shënuara targat e mjeteve kurse në të gjitha të tjerat figuron se i kanë mbushur kantat e derivateve, pra rreth 100 raste janë furnizuar në dorë.
Sikur të mos mjaftonte kjo, thuajse në përfundim të reshjeve, komuna ka pajtuar një kompani tjetër private për pastrimin e borës e cila i ka kushtuar 7254 litra naftë ose 9 764.29 euro.
Në lidhje me sa thamë, Qendra në Deçan e Vetëvendosje!-s, i kërkon Kryetarit Selmanaj që të japë shpjegime publikisht në lidhje me arsyet se, përse gjenden të përfshirë në këtë listë disa individë që janë kompensuar me derivate nga fondet publike, kur dihet, që të njëjtët, nuk kanë në posedim as licencë dhe as mjet për pastrimin e borës...dhe i siguron gjithë qytetarët se nuk do të ndalemi me kaq për rastin në fjalë dhe për të gjithë rastet e tjera të keqpërdorimeve dhe ku vidhen paratë e taksapaguesve.
Me veprime të tilla abuzive dhe shkeljet flagrante duke keqpërdorur detyrën zyrtare, Vetëvendosje mendon se kryetari Selmanaj shumë shpejtë do t`i bashkohet listës së gjatë të kolegëve të tij nëpër komunat e tjera të Kosovës, të cilët janë të dënuar nga Gjykatat, nën hetime ose në arrati.