20 Nëntor 2024

VV: 70.000 fëmijë në Kosovë jetojnë me 90 cent në ditë

Prishtinë, 1 qershor - Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se qershori e gjen Kosovën me një situatë tepër të rëndë në raport me gjendjen e shkollimit, me gjendjen sociale dhe atë që njihet si shfrytëzimi i punës së fëmijëve.

Albulena Haxhiu, deputete e Vetëvendosjes ka thënë se format e diskriminimit, shfrytëzimit dhe keqtrajtimit të fëmijëve në Kosovë lidhen me dhunën fizike, atë psikike, format e skllavërimit përmes punës, dhe në një masë të konsiderueshme edhe me shfrytëzimin seksual.

Secila prej këtyre çështjeve sipas saj lidhet me situatën ekonomike që ka Kosova dhe me shtetndërtimin. Trafikimi, shfrytëzimi seksual e i punës së fëmijëve është ekskluzivitet i paaftësisë së institucioneve përgjegjëse, si Ministria e Punëve të Brendshme, ajo e Drejtësisë dhe e Çështjeve Sociale.

"Përkundër ligjeve që ndalojnë punën e fëmijëve, që detyrojnë prindërit për t'u siguruar atyre zhvillim normal, që garantojnë arsim e jetë me dinjitet, qendrave sociale e shërbimeve për prind dhe fëmijë, përkundër policisë, prokurorisë, organizatave joqeveritare që merren me të drejtat e fëmijëve, fëmijët që punojnë nuk janë aspak raste të izoluara", ka theksuar Haxhiu.

Ky fenomen i cili sipas saj nuk po adresohet me seriozitet dhe me urgjencën që e kërkon, nga agjentët shoqëror e qeveritar, është kthyer tashmë në zakonshmëri.

Haxhiu ka theksuar se puna e fëmijëve që shesin cigare, mbledhin mbeturina, punojnë në shitore, bëjnë transporte të peshave të rënda, hapin kanale, spërkasin me mjete toksike, drejtojnë makina bujqësore, nxjerrin rërë dhe gurë,  nuk bëhet më fshehtazi e nuk duket më si ilegale.

Ajo sipas saj zhvillohet çdo ditë para ruajtësve të rendit, punonjësve të qendrave sociale, prokurorëve, gjyqtarëve, arsimtarëve dhe qytetarëve.

Fëmijët që punojnë rrezikojnë ngecje në zhvillimin fizik, kërcënohen nga pengesa serioze në zhvillimin mendor, shpirtëror dhe moral si dhe në krijimin e personalitet.

S"hkalla e lartë e analfabetizmit, përveç gjendjes së rëndë të sistemit arsimor dhe infrastrukturës së munguar, shkak të shtuar ka padyshim punën e fëmijëve. Një fëmijë që dërgohet në punë, përgjithësisht e ndërpret të ndjekjen e shkollës rreth klasës së tretë ose të katërt."

"Pjesa më e madhe e tyre nuk i rikthehen studimeve. Të tjerë e ndjekin vetëm formalisht programin mësimor, duke krijuar kështu grupin tjetër problematik atë të analfabetëve funksionalë", theksoi Haxhiu.

Ndërsa Faton Topalli, drejtues i Komitetit për Politikë Sociale në Vetëvendosje ka thënë se një vend në të cilin, e gjithë ekonomia varet nga veprimtaria tregtare e buxheti nga të hyrat fiskale, s'ka se si të interesohet për ekonomitë familjare, e rrjedhimisht as për fëmijët. 

"Familja në Kosovë, sot numëron 5.8 anëtarë mesatarisht. Nëse vetëm njëri prind punon, i bie që ky të mbajë 4.8 anëtarë me pagën më të ulët në rajon. Në rastet fatlume, ku njëri prej prindërve fiton 320 euro siç është e llogaritur paga mesatare në administratë, familja duhet t’i përmbushë nevojat e fëmijës me 1.83 cent në ditë", ka theksuar Topalli.

Ai vlerësoi se për t’i, përmbushur nevojat normale të një foshnje, prindërve u duhen 5 euro në ditë.  Një fëmijë, prindi i të cilit punon në administratën publike rritet me 1.83 cent në ditë.
 
Rreth 70.000 fëmijë në Kosovë sipas tij jetojnë me 90 cent në ditë, e në shumë raste edhe më me pak.

"Edhe pse në këtë gjendje ekonomike fenomenit i shfrytëzimit të punës së fëmijëve flet për një tolerancë të përgjithshme shoqërore në drejtim të gabuar."

"Arsyetimi se është më mirë të punojnë se sa të vjedhin, apo më mirë t’i ndihmojnë se ngarkojnë ekonomikisht familjet,  në shikim të parë duket i justifikuar dhe human, por në thelb është në të kundërt të edukimit dhe zhvillimit normal pra në të kundërt të së ardhmes së çdo fëmije e vetë shoqërisë", shprehet Topalli.

Puna e fëmijëve duhet ndalur në praktikë duke zbatuar pa kompromis ligjet në fuqi dhe duke kontrolluar zbatueshmërinë e tij. Ndalimi praktik i punës s'e eliminon përfundimisht punën ilegale, por ul ndjeshëm numrin e rasteve.

"Karshi ndaljes së punës, Qeveria, si përgjegjësja kryesore për mizerien që kemi sot, i ka mundësitë që në vend të shpenzimeve për xhipa dhe mobilje zyrash, të ketë programe në çdo qytet të Kosovës për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi, theksoi ai.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)