Vuçiq: Serbia më 2016 do ketë rritjen më të madhe ekonomike në Evropë
Beograd, 6 nëntor - Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se vendi i tij, vitin e ardhshëm, do të ketë rritje ekonomike për rreth 1.5 për qind, ndërsa në vitin 2016 mund të llogarisë në rritjen më të madhe në Evropë.
Na duhet një vit e gjysmë durim, të kursejmë në mënyrë që të zvogëlojmë dallimin midis asaj që fitojmë dhe asaj që shpenzojmë, si dhe të zvogëlojmë borxhin dhe të forcojmë rritjen. Me të gjitha masat që kemi ndërmarrë, me përgjegjësi e them se vitin e ardhshëm do të kemi rritje për rreth 1.5 për qind, ka thënë Vuçiq, transmeton Beta.
Në kuadër të masave të kursimit, Kuvendi i Serbisë ka miratuar në tetor ligje, me të cilat parashihet që nga 1 nëntori të zvogëlohen rrogat në sektorin publik dhe pensionet më të larta se 25,000 dinarë.