Vonesa e krijimit të institucioneve, alarmon afaristët
Prishtinë, 24 gusht - Kosova nuk ka komoditet të funksionojë pa institucione dhe mungesa e tyre është duke e goditur vendin në forma të ndryshme, kanë thënë për Radio Kosovën afaristët dhe përfaqësues të bizneseve.
Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu thotë se është koha e fundit për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.
Vonesa e krijimit të institucioneve të reja, po i shqetëson edhe afaristët. Kjo vonesë sipas kryetarit të Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu, po e dëmton Kosovën në forma të ndryshme.
“Nuk kemi konstituim të bordeve që janë substanciale për zhvillim ekonomik, e kemi një situatë mjaft alarmante sa i përket Partneritetit me institicione europiane dhe kur krejt kësaj i shtohet fakti që edhe më tej nuk dihet një datë konkrete e asaj se kur do të kemi institicione, e vënë në dyshim edhe më tepër rishikimin e buxhetit të vitit 2017”, thotë Gërxhaliu.
Çështje shqetësuese për afaristët është mos-kryerja e pagesave ndaj tyre për punët e kontraktuara me institucionet publike, thotë më tej Gërxhaliu.
“Dhe nëse nuk do të kemi rishikim të këtij buxheti, atëherë si do të kryhen pagesat për sektorin privat, sektor privat që është implementues dhe zbatues i projekteve të financuar nga qeveria që janë të natyrës publike”, theksoi Gërxhaliu.