Vlerësohet lartë performanca e Doganës së Kosovës
Prishtinë, 18 nëntor - Ministri i Financave Besim Beqaj e ka vlerësuar sot lartë performancën e Doganës së Kosovës, dhe i ka inkurajuar ata që të vazhdojnë me përpikëri që ti realizojnë obligimet e tyre ligjore.
Gjatë vizitës që i bëri Doganës së Kosovës, në ndërtesën e re ku më parë ishte Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ministri Beqaj ka theksuar se që nga themelimi i Doganës së Kosovës ka pasur zhvillim shumë të rëndësishëm si në fushën e mbledhjes së detyrimeve doganore për buxhet të shtetit, po ashtu edhe në fushën e sundimit të ligjit dhe aftësimin e oficerëve doganor që me sukses ti realizojnë obligimet e veta ligjore.
Deri më ditën e sotme Doganat kanë inkasuar 757 milionë euro, përkundër faktit se qarkullimi është më i vogël për 6 për qind. Krahasuar me vitin e kaluar të hyrat janë më të larta 4.42 për qind, apo 24 milionë euro.
Me këta rast Ministri Beqaj ka thënë se është investuar shumë në stafin e Doganës për ta pasur një administratë doganore të gatshme për tu përballur me çdo sfidë, me të cilën hasen për ti realizuar objektivat e veta.
Ministri Beqaj ka theksuar se reforma domethënëse në Doganë ka për qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve në raport me bizneset dhe të punësuarit janë duke dhënë rezultate të rëndësishme konkrete.
Luftimi i ekonomisë joformale është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Financave, respektivisht Qeverisë së Republikës së Kosovës tha Ministri Beqaj dhe shtoi se duke u mbështetur në dokumentet strategjike të Qeverisë për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve financiare, në hartimin e të cilave ishin të inkuadruar edhe përfaqësuesit e biznesit, shoqërisë civile dhe institucionet relevante shtetërore, synohet një rritje e qëndrueshme ekonomike ku sektori privat ka rolin udhëheqës në ekonomi. Në këtë drejtim rol të pazëvendësueshëm ka edhe Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës.
Me këtë rast Ministri Beqaj theksoi se është duke u përgatitur një nismë e re krijimi i ekipeve të specializuara doganore dhe tatimore të cilat do të merret me parandalimin e kontrabandës jashtë pikave doganore.
Kjo do të jetë një lloj policie doganore, e cila do të ketë synimin jo vetëm të kontrollimit të pikave kufitare por edhe kontrollimin dhe eliminimin e kontrabandimit jashtë pikave kufitare. Do të jenë fillimisht afër 60 zyrtarë, 30 prej tyre do të jenë zyrtarë doganorë, ndërsa 30 prej tyre do të jenë zyrtarë nga Administrata Tatimore. Ata do të jenë mobil për të luftuar qarkullimin e mallrave të kontrabanduara jashtë pikave kufitare.