03 Maj 2024

Vlerësohen lartë të arriturat në tatimit në pronë

Prishtinë, 14 dhjetor - Në Ministrinë e Financave është mbajtur sot takimi i  radhës së Komitetit Drejtues për Tatimin në Pronë në kuadër të Ministrisë së Financave, i mbështetur nga SIDA Suedeze dhe USAID-i.

Në këtë takim  kanë marrë pjesë ministri i Financave Bedri Hamza, shefja e Ambasadës suedeze në Prishtinë Ingrid Johansson dhe shefja e  Agjencisë për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Ambasadën e Suedisë  Maria Melbing, përfaqësues nga USAID-i dhe anëtarët e rregullt të këtij komiteti.

Ministri i Financave Bedri Hamza, duke falënderuar për  mbështetjen e vazhdueshme të SIDA-s suedeze dhe USAID-it dhe anëtarët e këtij komitetit për implementimin e projektit për implementimin e tatimit në pronë, tha se “Në emër të  Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave, falënderoj Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) për ndihmën e vazhdueshme që është duke na ofruar në këtë drejtim, por edhe USAID-in për mbështetjen e vazhdueshme të tyre në këtë projekt dhe projekte të tjera të Ministrisë së Financave”.

“Implementimi i projektit të tatimit në pronë është i rëndësisë së veçantë për Ministrinë e Financave, pasi që përmes tij sigurohen të hyra të rëndësishme vetanake për komunat. Duke marrë parasysh vështirësitë me të cilat jemi ballafaquar në fillim të këtij procesi, sot mund të them lirisht se jam i kënaqur me atë që kemi arritur në këtë drejtim e posaçërisht në aspektet e krijimit të programit të tatimit në pronë, përmirësimin e nivelit të shërbimeve ndaj tatimpaguesve, ngritjen e shkallës së arkëtimit të tatimit, transparencën në informimin e tatimpaguesve, rianketimin dhe fillimin e implementimit të modelit të ri të vlerësimit” tha ministri Bedri Hamza.

Ai më tej shtoi se “Sa i përket nivelit të inkasimit të tatimit në pronë, lirisht mund të them se është duke u shënuar një trend i rritjes së arkëtimit të mjeteve nga pagesa e tatimit në pronë. Shpreh bindjen se Departamenti i Tatimit në Pronë do të vazhdoj me këtë ritëm dhe këtë vit do të kemi më shumë të hyra së sa në vitin e kaluar”.

Në fund ministri Hamza, bëri të ditur se Ministria e Financave tashmë zyrtarisht ka bërë kërkesën tek SIDA  për përkrahjen  e tyre edhe për fillimin e përgatitjeve të projektit në tatimin e tokës duke filluar nga viti 2012, i cili tatim pritet që të rritë të hyrat nga tatimi në pronë, ku  tha se “Ne jemi të vetëdijshëm se projekti i tatimit në tokë ka sfida andaj kemi kërkuar përkrahjen nga dy donator të fuqishëm siç është SIDA dhe USAID-i.

Ndërsa, shefja e Ambasadës suedeze në Prishtinë, Ingrid Johansson duke falënderuar ministrin Bedri Hamza për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Qeverisë suedeze dhe asaj kosovare tha se “në Stokholm ky projekt ka tërhequr shumë vëmendje dhe jemi të kënaqur që së bashku me Ju kemi arritur qëllimin e projektit dhe që ky projekt është substancial për buxhetet e komunave të Kosovës. Ne gjithashtu ju sigurojmë që jemi duke e vlerësuar me vëmendje kërkesën e juaj për fillimin e përgatitjeve të projektit për tatimin e tokës”.

Ajo më tej shtoi se “ Ne përveç që kemi poste të larta publike, ne jemi edhe taksapagues. Andaj, e dimë rëndësinë e këtyre projekteve, por e dimë edhe rëndësinë e transparencës. Këto projekte mundësojnë edhe transparencë të institucioneve ndaj taksapaguesve”. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)