Vlerësohen lartë raportet ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë
Prishtinë, 6 dhjetor - Ministri i Financave, Besim Beqaj, ka pritur sot në takim njoftues ambasadorin e Republikës Sllovenisë në Republikën e Kosovës, Milijan Majhen, dhe me këtë rast kanë vlerësuar se marrëdhëniet në mes të dy vendeve çdo herë kanë qenë por edhe janë shumë të mira.
Ministri Beqaj duke i shprehur urimet për detyrën e re ambasadorit, Majhen, u shpreh se përkrahja të cilën i ka dhënë shteti Sllovenë por edhe ambasada e Sllovenisë në Kosovë zhvillimit të proceseve demokratike dhe zhvillimit ekonomik të vendit vlerësohet lartë nga Qeveria e Kosovës, njëkohësisht duke potencuar edhe përkrahjen për integrimin Evropian të Kosovës dhe mundësinë e zhvillimit dhe thellimit të mëtejmë të këtyre raporteve.
Me këtë rast ministri Beqaj ka informuar ambasadorin, Majhen se momentalisht jemi në procesin e miratimit të Buxhetit të Kosovë dhe se vendi ynë ka qëndrueshmëri buxhetore dhe stabilitet makro fiskal si dhe ka parakushte të mira për zhvillim ekonomik dhe investime të jashtme.
Ministri Beqaj e njoftoi ambasadorin e Sllovenisë me masat më të reja në politikën fiskale lidhur me produktet bujqësore dhe ushqimore dhe vlerësoi se kjo paraqet një kontribut të rëndësishëm në krijimin e kushteve sa më të mira për të bërë biznes, i cili është reflektuar edhe në raportin e Bankës Botërore, i cili konstaton se Kosova është ndër vendet të cilat kanë bërë progresin më të madh në këtë lëmi.
Nga ana e tij ambasadori Majhen duke falënderuar ministrin Beqaj për pritjen e ngrohtë, vlerësoi lartë të arriturat e Kosovës në lëmin e ekonomisë dhe financave dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve e sidomos në sigurimin e investimeve të drejtpërdrejta nga Sllovenia duke theksuar se vendi i tij është çdo here e gatshme për ta ndihmuar Kosovën edhe në proceset e integrimeve evropiane.