08 Nëntor 2024

Vlerësime dhe rekomandime nga Eurostati për ASK-në

Prishtinë, 21 shtator - Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK) e ka vizituar një delegacion i Eurostat-it, i përbërë nga Drejtori i Drejtorisë A: Bashkëpunimi në Sistemin Statistikor Europian; Bashkëpunimi Ndërkombëtar; Burimet, në Eurostat, Pieter Everaers dhe Koordinatori për Kosovë, Marius Andersen.

Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, në fillim të muajit shtator, delegacioni i Eurostat-it ka pasur një sërë takimesh me menaxhmentin dhe stafin e ASK-së.

Përmes një shkrese zyrtare, z. Pieter Everaers, fillimisht ka falënderuar Kryeshefin Ekzekutiv dhe stafin e ASK-së për diskutimet e frytshme gjatë vizitës së tyre në Kosovë. Më pas, ai e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm vazhdimin e diskutimeve me qëllim që të vendosen prioritet për çështjet e bashkëpunimit statistikor ndërmjet Eurostat-it dhe ASK-së në vitet e ardhshme.

Në letrën dërguar ASK-së, përrmes Kryesueses së Zyres së BE-së në Kosovë, znj. Nataliya Apostolova, Drejtori përgjegjës për Bashkëpunim  në Eurostat, z. Everaers ka përmbledhur në 5 pika të përgjithshme vlerësimet dhe rekomandimet e Eurostat-it për ASK-në:

Regjistrimin e Popullsisë në katër komunat veriore të Kosovës, që nuk kanë marrë pjesë në Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave në vitit 2011 - Eurostati bashkë me Zyren e BE-së në Kosovë i kanë vlerësuar përgatitjet për mbajtjen e një regjistrimi të tillë. Mirëpo, për shkak të mospërparimit në miratimin e ligjit për këtë regjistrim dhe kohës së shkurtër nga Regjistrimi tjetër i përgjithshëm 2020 (rundi mbarëbotëror e regjistrimeve të popullsisë), Eurostati rekomandon që ASK-ja tashmë të përqendrohet në përgatitjen e Regjistrimit të ardhshëm të Popullsisë më 2020;

Parapërgatitjet për Regjistrimin e Popullsisë 2020 - Eurostati konsideron se diskutimet mbi metodologjinë e regjistrimit duhet të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, për shkak se vendimi për metodologjinë do ta ndikojë llojin e legjislacionit të kërkuar, si dhe planifikimin e mbështetjes së kërkuar teknike. Këto diskutime duhet ta marrin parasysh fizibilitetin teknik dhe operacional, si dhe kërkesat e burimeve për mbledhjen tradicionale të të dhënave, duke përdorur të dhënat administrative, regjistrimin nëpërmjet sondazheve të internetit, ose një kombinim i këtyre opsioneve;

Statistikat Makroekonomike - Eurostati ka adresuar disa herë, te institucionet kosovare, rëndësinë e forcimit të këtij sektori, si në aspektin e burimeve njerëzore, ashtu edhe atë të prodhimeve statistikore. Pasi që, statistikat dhe treguesit bazë për Llogaritë Kombëtare, për Statistikat Financiare të Qeverisë, si dhe raportimi i borxhit dhe deficitit janë duke u bërë gjithnjë e më të rëndësishëm, në progresin e anëtarësimit, atëherë ASK-ja duhet t’i vazhdojë përpjekjet e saj për t’i përafruar këto të dhëna me Rregulloren ESA2010;

Ligjin mbi Statistikat Zyrtare - Eurostati ka potencuar se rekomandimet specifike dhe gjendja e burimeve njerëzore janë adresuar në një letër zyrtare drejtuar zëvendëskryeministrit të Kosovës, z Kujtim Shala, më 24 nëntor 2015, si dhe janë ngritur, në një letër zyrtare të drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, më 26 prill 2016. Eurostati e konsideron forcimin e kuadrit ligjor, përfshirë garantimin e pavarësisë profesionale të ASK-së, sigurimin e një mandati të caktuar (më afatgjatë) për Kryeshefin Ekzekutiv të ASK-së, duke rritur rolin koordinues të ASK-së në Sistemin Statistikor Kombëtar dhe rëndësinë e qasjes më të lehtë të ASK-së në të dhënat administrative. Kjo do ta përmirësojë bazën për zhvillimin e mëtejshëm të Sistemit Statistikor në Kosovë; dhe

Situatën e burimeve njerëzore në ASK - derisa kjo gjendje e ASK-së mbetet gjerësisht e pandryshuar në vitet e fundit në aspektin e mungesave të stafit të mjaftueshëm, Eurostat vlerëson se kjo gjë duhet të adresohet në përgatitjen e Programit të ardhshëm 5-vjeçar për Statistikat Zyrtare. Në këtë aspekt, do të ishte e dobishme qasja e situatës së burimeve njerëzore nga pikëpamja strategjike dhe të adresohen nevojat afatgjata për rritjen e numrit të personelit dhe për rritjen e kualifikimeve të tyre, në përputhshmëri me objektivat e ASK-së, që duhet të arrihen në fund të Programit të ardhshëm 5 vjeçar. Sipas, z. Pieter Everears, kjo gjithashtu do të ishte e dobishme për të marrë masa për t’i komunikuar më efekshëm objektivat dhe rezultatet e ASK-së te grupet kryesore të interesit në procesin e përgatitjes së Programit të ardhshme 5-vjeçar Statistikor.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)