Vlera e IHD-ve arriti në 204.9 milionë euro
Prishtinë, 27 shkurt - Banka Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se deficiti i llogarisë rrjedhëse të bilancit të pagesave të Kosovës është karakterizuar me përmirësim të vazhdueshme gjatë vitit 2013.
Vetëm në TM3 2013 është shënuar deficit prej 96.5 milionë euro (32.8 përqind përmirësim krahasuar me TM3 2012).
Ky nivel i deficitit të llogarisë rrjedhëse shkaktohet kryesisht nga deficiti tregtar. Sidoqoftë, edhe deficiti tregtar gjatë vitit 2013 është përmirësuar për 3.4 përqind dhe ka arritur vlerën prej 2.2 miliardë euro. Përmirësimi më i madh i bilancit tregtarë është shënuar në TM3 2013 (10.5 përqind).
Sipas BQK-së, vksportet gjatë vitit 2013 kanë shënuar rritje vjetore prej 6.5 përqind dhe kanë arritur në 293.9 milionë euro, ndërsa importet në vitin 2013 u karakterizuan me rënie prej 2.3 përqind dhe kanë arritur në 2.4 miliardë euro. Rrjedhimisht, është përmirësuar shkalla e mbulueshmërisë së importeve me eksporte nga 11.0 përqind në vitin 2012 në 12.0 përqind në vitin 2013.
Ndër komponentat me ndikim më të madh në ngushtimin e deficitit të llogarisë rrjedhëse vazhdon të jetë niveli i lartë i remitencaveqë deri në shtator 2013 arritën vlerën prej 454.6 milionë euro ose 4.2 përqind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Deri në shtator 2013, vlera e IHD-ve arriti në 204.9 milionë euro, që paraqet rritje vjetore prej 14.8 përqind. Kjo rritje e IHD-ve është gjeneruar kryesisht nga fitimi i riinvestuar i kompanive që operojnë në Kosovë, i cili ka shënuar rritje prej 46.1 përqind duke arritur vlerën prej 66.9 milionë euro.
"Kapitali aksionar, i cili në strukturën e IHD-ve ka pjesëmarrjen më të madhe, ka shënuar rritje prej 8.1 përqind dhe ka arritur vlerën prej 93.0 milionë euro. Investimet tjera, të cilat kryesisht janë kredi ndërmjet kompanive, shënuan rënie prej 4.3 përqind dhe arritën vlerën prej 45.0 milionë euro", thuhet në raportin e vlerësimit Tremujor të Ekonomisë të BQK-së.