Vizitë e frytshme e zëvendësministrit Dedaj
Gjenevë, 25 mars - Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale i Qeverise së Republikës së Kosovës Gjergj Dedaj, i cili po qëndron për një vizitë pune në Gjeneve për të diskutuar çështjen dhe statusin e pjesëmarrjes se delegacionit te Republikës se Kosovës në sesionin veror të konferencës se Organizatës Ndërkombëtare te Punës (ILO), e cila do te mbahet në qershor të këtij viti si dhe procedurat e anëtarësimit të Kosovës në ILO, fillimisht u prit nga Betty King, ambasadore e Misionit te Përhershëm të SHBA-ve, Laura Mirachiani, ambasadore e Misionit te Italisë, Kenichi Suganuma, ambasador i Japonisë, Richard Newfarmer, Përfaqësues Special i Bankës Botërore pranë OKB-së, Nathaniel Wapshere, sekretar i Misionit të Britanisë së Madhe, Susane Hofman, drejtore e Përgjithshme për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale të Gjermanisë, Marc Boisnel, Zyrtar i Lartë i Ministrisë së Punës dhe Solidaritetit të Francës pranë Këshillit Administrativ të ILO-së, pastaj me ambasadorët e misioneve të Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë si dhe u prit nga Daniel Warner, drejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Qeverisje-Instituti për Studime dhe Shkenca Ndërkombëtare me seli në Gjenevë.
Dedaj në të gjitha këto takime e shtroi çështjen e statusit dhe të pjesëmarrjes së delegacionit të Republikës së Kosovës në sesionin e qershorit të Konferencës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe procedurat e aplikimit për anëtarësim të Republikës së Kosovës pranë ILO-së.
Fakti se tani Republika e Kosovës është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe e pranuar në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar me synim të qartë për anëtarësim në të gjitha organizatat dhe institucionet Evropiane dhe botërore, shtron nevojën imediate që në konferencën e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, e cila do të mbahet në qershor në Gjeneve të shikohen mundësitë dhe modalitetet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së delegacionit të Republikës së Kosovës si shtet në këtë konferencë dhe në një të ardhme të afërt të fillojnë procedurat e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtare të plotfuqishme pranë ILO-së, theksoi Dedaj në të gjitha takimet me zyrtarë dhe autoritete të larta në Gjenevë.
Zëvendësministri Dedaj ka gjetur një mirëkuptim të madh dhe mbështetje të parezervë me të gjithë bashkëbiseduesit në qasjen dhe kërkesat e tij dhe se kjo procedurë do të fillojë dhe do të zhvillohet konform rregullave dhe Kushtetutës se Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të vendeve, që e kanë njohur dhe të atyre që do ta njohin Replikën e Kosovës si një realitet i pakthyeshëm dhe faktor për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Evropë.