Viti 2015 është vit i kthesës për ekonominë dhe punësimin
Prishtinë, 12 tetor - Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka deklaruar se viti 2015 nisi me një dinamikë të madhe sa i përket zhvillimit ekonomik.
Qeveria e re e ka vënë zhvillimin ekonomik në krye të agjendës, duke e aprovuar për herë të parë Programin Qeverisës për mandatin e plotë, i cili është diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës ku janë edhe opozita. Duke promovuar politika ekonomike në konsultim me komunitetin e biznesit dhe në mënyrë shumë transparente, besueshmëria në institucione dhe në konsistencën e politikave ekonomike fillojë të rritet dhe efektet kanë filluar të ndihen, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.
Sipas tij të dhënat për sivjet tregojnë një trend shumë pozitiv krahasuar me vitin paraprak. Eksportet janë rritur me 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Investimet e jashtme janë rritur nga 39 milionë sa kanë qenë në vitin 2014, në 164 milionë gjatë këtij viti, depozitat në sistemin bankar janë rritur me 7%, kreditë janë rritur mesatarisht me 12%, ndërkaq kreditë për bujqësi janë rritur me 18% dhe për prodhim 16%, stabiliteti i sistemit bankar dhe besueshmëria në banka është rritur dhe janë zvogëluar kreditë e këqija, norma e interesit për kredi ka rënë nga 11% në 8%, inflacioni ka mbetur pothuajse zero, gjë që ruan fuqinë blerëse të të ardhurave që marrin qytetarët dhe numri i familjeve në asistencë sociale është zvogëluar për 11%, që është shenjë se varfëria ka rënë dhe punësimi i anëtarëve të këtyre familjeve është rritur, ka thënë ai.
Sipas tij edhe remitancat nga jashtë janë rritur për 16% duke ndikuar kështu në rritjen e kërkesës në vend, dhe rrjedhimisht rritjen e ekonomisë vendore por edhe të konsumit dhe importeve.
Ky trend pozitiv duhet të ruhet me çdo kusht. Nuk i falet askujt që ta dëmtojë kredibilitetin dhe stabilitetin në ekonominë vendore duke ndërmarrë veprime që qojnë sinjale negative tek investitorët dhe tek tregjet në përgjithësi, ka theksuar ai.