Viti 2013 mbetet i vështirë për ekonominë shqiptare
Tiranë, 27 janar - Shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi thotë se viti 2013 do të jetë një vit i vështirë për ekonominë shqiptare.
Në një intervistë për Zerinë e Amrikës, zyrtari i FMN-së flet për rrezikun e borxhit të lartë, problemet e sektorit bankar dhe nevojën për reforma strukturore.
Ecuria ekonomike e Shqipërisë gjatë 2012-s sipas tij duhet të vihet në kontekstin e krizës së Eurozonës.
Ai theksoi se Shqipëria e përballoi mirë atë që nga 2008-a kur filloi kriza pasi qe me lidhjet e ngushta me Italinë dhe Greqinë, mund të prisje një tronditje më të madhe të ekonomisë.
\"Por nëse shohim shifrat, ekonomia e Shqipërisë është një nga të paktat në rajon që nuk përjetoi rritje negative. Ka një numër faktorësh që ndikuan këtu stimulimi fiskal i bërë nga qeveria, pati politika bankare të kujdesshme që parandaluan tronditjet që patën vende të tjera në rajon. Pra këto ndikuan që të kishte një rritje të vogël por të qëndrueshme deri në vitin 2012\" ka theksuar Ilahi.
Ai theksoi se viti 2013-a do të jetë një vit i vështirë edhe pse gjërat janë përmirësuar në pjesën më të madhe të Evropës në krahasim me gjashtë muaj më parë.
Por siç tha Ilahi Evropa do të vazhdojë të kontraktohet. Italia do të vazhdojë të kontraktohet me gati 1 përqind sipas raporteve të fundit. Pra sipas tij Shqipëria nuk është jashtë rreziqeve që janë pranë kufijve të saj. Duhet të sigurojë rritje ekonomike për të ecur përpara. Pra rekomandimi ynë është që çështja e borxhit të trajtohet me kujdes.
\"Ne e kuptojmë se nuk mund të shkurtosh shumë borxhin në një kohë si kjo, por në të njëjtën kohë dobësia që vjen nga mbajtja e këtij borxhi në këtë përqindje nga banka duhet të minimizohet. Ky vit gjithashtu është një vit elektoral dhe mendoj se është e rëndësishme të ruhet disiplina fiskale\", tha ai.
\"Në fund do të thosha se ka probleme me reformat strukturore për të cilat Shqipëria ka shumë nevojë për rritjen në të ardhmen, duke filluar me zbatimin bazë të kontratave, problemet me të drejtat e pronësisë që janë pengesë për investimet e huaja. Këto kërkojnë mbështetjen e të gjitha forcave të spektrit politik që sigurisht është e vështirë të realizohet në një kohë si kjo, por duhet të punohet për ta realizuar.\"