19 Nëntor 2024

Vit i rëndë për pensionistët kosovarë

Albulena S. MAVRAJ

Prishtinë, 2 janar - Sekretari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës (LPK), Hasan Berisha, ka deklaruar se viti 2013 ka qenë i vështirë për pensionistët e Kosovës dhe se rritja e mëparshme e pensioneve nuk ka qenë e mjaftueshme.

“Pensionistët kishin vështirësi, pasi që nga viti 2008 e deri në vitin 2012 nuk ka pasur rritje të pensioneve, mirëpo edhe kjo rritje që është bërë ishte e vogël dhe e pamjaftueshme, pasi nuk mbulonte as shpenzimet më elementare të pensionistëve”, ka thënë Berisha.

Berisha ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se pensionet e ofruara më tepër janë ndihmë sociale për pensionistët. “Pensionet e ofruara më tepër kanë qenë ndihmë sociale në mënyrë lineare për të gjithë pensionistët njësoj. Pensionistët nuk kanë qenë të kënaqur dhe nuk janë të kënaqur sepse është neglizhuar kontributi i tyre.

Kuptohet se problemet sociale në Kosovë janë edhe ashtu të ashpra, pasi është problem edhe vetë standardi i shtetit e vet produkti shoqëror, prandaj nuk lejojnë komoditet më të madh.

Ndërkaq buxheti në të gjitha shtetet dhe vendet e civilizuara është i destinuar për shërbimet e shtetit dhe për çështjet sociale”, ka thënë ai, duke shtuar se ngritja e zërit të pensionistëve ka hasur në vesh të shurdhër tek organet kompetente dhe sipas konventave ndërkombëtare dhe ligjeve pozitive edhe në Kosovë, pensioni është një pasuri e patjetërsueshme e atij që e ka arritur pensionin.

“Për ta arritur pensionin kontributpaguesi është dashur të punonte 30-40 vjet dhe t’i ketë 65 vjet të moshës. Andaj në projektligj i kemi bërë disa amendamente, me të cilat kemi kërkuar të bëhet edhe kategorizimi, i cili do ta zbuste pak këtë padrejtësi, por politika buxhetore e organeve të pushtetit e Ministrisë së Financave, por edhe ministrive të tjera që kanë të bëjnë me ndarjen e buxhetit për vitit 2014, e që justifikon një papërgjegjësi të madhe, nuk e parasheh asnjë euro për rritjen e pensioneve e as kategorizimin, por nuk e parasheh as indeksin për konsumin dhe inflacionin që pritet në kuadër të eurozonës.

Prandaj, ne u kemi shkruar të gjitha strukturave, edhe Kuvendit të Kosovës, që është papërgjegjësi e madhe që edhe me buxhetin për vitin 2014 nuk parashihet asnjë euro ndryshim”, ka thënë Berisha.

Ai e ka kritikuar edhe ndarjen e buxhetit për vitin 2014, i cili nuk parasheh rritjen e pensioneve, duke e vlerësuar këtë si një diskriminim të dinjitetit njerëzor.

“Ky është një neglizhim, është diskriminim, është cenim i dinjitetit njerëzor dhe është cenim i dinjitetit njerëzor dhe konventave ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e pensionistëve”, ka shtuar ai.

Sekretari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Hasan Berisha, e ka parë si një problem mjaft shqetësues dhe diskriminues moskategorizimin e pensionistëve në bazë të përvojës së punës dhe kualifikimeve.

“Është bërë një projektligj që tash po thirret mbi skemat pensionale dhe është propozuar të bëhet kategorizimi në mënyrë që niveli i pensionit të varet nga vitet e përvojës dhe kualifikimet, sepse këta janë dy tregues që mund të shprehin kontributin ekuivalent gjatë punës. Por, megjithatë, tani për tani nuk jemi të kënaqur sepse edhe tash është duke u dhënë pensioni vetëm në mënyrë lineare në shumën prej 112 eurosh”, ka deklaruar ai.

Berisha ka bërë me dije se gjatë vitit 2013 Lidhja e Pensionistëve të Kosovës ka bërë një analizë në bazë të një ankete me 290 pensionistë me 18 pyetje dhe 36 përgjigje alternative.

“Duke u bazuar nga metodologjia dhe kriteriumi që i ka bërë Banka Botërore (BB), në raportin për luftimin e varfërisë, kemi ardhur në përfundim se pjesa dërrmuese e 53 për qind e pensionistëve janë nën pragun e varfërisë”, është shprehur ai.

Edhe pensionisti Gjevat Musliu, i cili e kishte të përfunduar Fakultetin e Albanologjisë, është shprehur i pakënaqur me gjendjen në të cilën përballen tani pensionistët. Sipas tij, pensionet, të cilat ata i marrin, nuk u dalin as për ilaçe mjekësore.

“Pensionet të cilat i marrim nuk janë të mjaftueshme as për barnat mjekësore, pasi jemi neglizhuar nga Qeveria. Ata të paktën le ta ruajnë Kosovën dhe mos ta prishin integritetin territorial, sepse ne si pensionistë jemi të harruar”, ka thënë ai. 


Edhe pensionisti tjetër, Nazim Grajçevci, ka deklaruar se është i pakënaqur me pensionet e ofruara pasi, sipas tij, me pension nuk mund t’i mbulojnë as shpenzimet elementare.

“Nuk jemi aspak të kënaqur me pensionet të cilat i marrim. Është mjaft e vështirë për një pensionist të mbijetojë me këtë pension, sepse as minimumin e shpenzimeve s’mund t’i mbulojë. 50 euro na shkojnë vetëm për ilaçe, ndërsa rreth 70 për qind e pensionistëve janë me terapi”, ka thënë Grajçevci.

Ai e ka kritikuar neglizhimin që po u bëhet invalidëve pensionistë, të cilët janë lënduar në vendin e punës e që nuk marrin asnjë euro në këmbim të kësaj.

“Këtu nuk është e rregulluar çështja e pensioneve invalidore, ndërsa për invalidin pensionist është më së keqi. Unë jam invalid i punës, kam punuar në minierat, pastaj në central telefonike, aty ku dhe jam lënduar. Para luftës kam marr pension invalidor për lëndimet trupore, ndërkaq tani ende nuk ekziston ligji për pensionet invalidore dhe asnjë invalid i luftës nuk merr asnjë euro për lëndimet trupor”, ka shtuar ai.

Ndërsa Shaip Grajçevci ka shprehur pakënaqësitë e tij për gjendjen momentale të pensionistëve. Ai për këtë ua ka hedhur fajin politikanëve. “Dua ta them një thënie të Naim Frashërit:

‘Një njeri, i cili kujtohet vetëm për veten, është sikur një dru i thatë që pemë që nuk lëshon’, prandaj edhe qeveritarët vetëm për vete po mendojnë, për kolltuk të tyre dhe për fëmijët e tyre, e pse populli vuan ata s’kanë dert.

Kam punuar me vite të tëra në minierë dhe KEK, ndërsa tani nuk kam asnjë euro më tepër si pensionist invalid”, ka thënë ai.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)