28 Dhjetor 2024

Vihet gurthemeli për ndërtimin e shtëpive në Lagjen e Romëve

Mitrovicë, 22 prill - Kryeministri Hashim Thaçi mori pjesë sot në ceremoninë e vënies së gurthemelit për ndërtimin e shtëpive, në Lagjen e Romëve në Mitrovicë, ku do të vendosen 50 familje rome nga kampet Çesmin Lug dhe Osterode. Në ceremoninë e vënies së gurthemelit morën pjesë edhe presidenti Fatmir Sejdiu, ministri për Komunitete dhe Kthim Sasha Rashiq, Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Christopher Dell, kryetari i Komunës së Mitrovicës Avni Kastrati, si dhe përfaqësues i komunitetit RAE, Habib Hajdini.

Në fjalimin e vetë të mbajtur për këtë rast, kryeministri Hashim Thaçi mes tjerash theksoi: “Është kënaqësi që sot të jemi së bashku në qytetin e bukur të Mitrovicës. Ky është projekti i integrimit, i kthimit të njerëzve në jetën e re, në jetën e përbashkët, në Kosovën tonë demokratike dhe shumetnike. Në emër të Qeverisë së Kosovës falënderoj USAID-in dhe Mercy Corps për punën e tyre, pastaj edhe për vazhdimin e punimeve që do të ndodhin prej Komisionit Evropian.”

Kryeministri Thaçi në vazhdim tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar dhe do të kryej obligimet e veta për të gjitha qytetarët e saj.

“Synimi i të gjitha institucioneve tona por edhe gjithë komunitetit ndërkombëtar është që të ndërtojmë Kosovën demokratike dhe Kosovën shumë etnike me qëllim të integrimit të saj sa ma shpejt në NATO dhe BE. Unë besoj që së shpejti ashtu siç jemi së bashku sot, në këtë fillim të punimeve, do të jemi gjithë së bashku edhe në përfundimin e punimeve” tha kryeministri Thaçi, duke përshëndetur dhe uruar të gjithë pjesëmarrësit romë, ashkali dhe egjiptas në këtë ceremoni.

Në ceremoni mbajtën fjalë rasti edhe Presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, Ambasadori amerikan, Christopher Dell, ministri Sasha Rashiq, dhe përfaqësuesi i komunitetit RAE në kampet, Habib Hajdini.

“Kosova është e të gjithëve, dhe Kosova do të jetë e të gjithëve, kur ata do ta ndjejnë si shtëpi të vetën. Këto janë politika të shtetit tonë për të gjithë qytetarët dhe këto janë politika që mbështeten fuqishëm nga miqtë e Kosovës”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, duke folur në ceremoninë e vënies së gurthemelit për ndërtimin e shtëpive në Lagjen e Romëve në Mitrovicë.

Ndërtimi i shtëpive për pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali e egjiptian është projekt i USAID-it, ndërsa implementohet nga “Mercy Corps”. Me këtë projekt synohet që përfundimisht të sigurohet strehë mbi kohë për të gjithë pjesëtarët e këtij komuniteti, të cilët vazhdojnë edhe më tej të jetojnë në kampet në pjesën veriore, ku është konstatuar se jetesa paraqet rrezik shumë të madh për shëndetin e banorëve.

Në ceremoninë e vënies së gurthemelit për shtëpitë e reja, përveç Presidentit Sejdiu, të pranishëm ishin edhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Dell, ministri për Komunitete dhe Kthim Sasha Rashiq, ministri Bajram Rexhepi, shefja e USAID-it, Patricia  Rider, kryetari i komunës së Mitrovicës Avni Kastrati, si dhe personalitete tjera të jetës politike e  kulturore.

Duke folur në ceremoni, Presidenti Sejdiu tha se është e nevojshme që ky projekt të kryhet sa më shpejt që është e mundshme. “Kjo ceremoni e sotme filloi me shi dhe me bereqet, që po ashtu ka simbolikën se nuk do t’ju rrahë shiu më, nuk do të lageni dhe do të keni objekte banimi më të mira”, tha Presidenti Sejdiu.

Duke folur për përmirësimin e kushteve të jetës për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim, por me theks të veçantë për ata të cilët janë duke jetuar në kushte më të vështira, Presidenti Sejdiu tha se është mirë që edhe fëmijët e vegjël do ta harrojnë atë se ku kanë jetuar, dhe për ta po vijnë ditë më të lumtura dhe më të mira.

“Në këtë vend të bukur të Mitrovicës, qytetit të veçantë të Kosovës “Mercy Corps”, USAID-i dhe të gjithë donatorët e tjerë do ta mbajnë fjalën dhe do të vazhdojnë me implementimin e projekteve të tilla”, tha Presidenti Sejdiu.

Ndërkaq Ambasadori Dell tha se para dhjetë vjetësh kemi premtuar se do t’i përkrahim personat e zhvendosur të komunitetit rom, shkali e egjiptian, dhe kjo po ndodhë sot me implementimin dhe fillimin e projekteve të tilla.

“Z. President na keni sfiduar me përfundimin sa më të shpejtë të këtij projekti, dua që gjithashtu t’ju rikujtoj se SHBA-të gjithmonë mbajnë premtimet e tyre”, tha Ambasadori  Christopher Dell.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)