Viezzoli: BERZH do ta ndihmojë Kosovën
Londër, 2 shkurt - Kosova u bë anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim më 17 dhjetor të vitit të kaluar.
Kjo organizatë e ka mbështetur vendin që nga viti 1999 me projekte në sektorin privat dhe do të vazhdojë edhe më tej, tani që Kosova është anëtare e këtij institucioni, thotë Drejtori i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, Claudio Viezzoli.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës Viezzoli thotë se Banka është e gatshme të investojë për disa projekte të rëndësishme në Kosovë, me kusht që procesi i privatizimit të zhvillohet me drejtësi dhe transparencë, sipas standarteve ndërkombëtare.
BERZH e ka kryer vizitën e saj të parë në Kosovë, rreth 10 ditë pas përfundimit të luftës, që në vitin 1999.
\'Ne e nëshkruam projektin tonë të parë në nëntor të vitit 1999 dhe që atëhere ne kemi patur atje zyrën tonë, me stafin e përhershëm që filloi menjëherë nga puna. Deri tani kemi krijuar në Kosovë një portofol me vlerë 70 milionë euro, kemi nënshkruar 30 transaksione në sektorin privat dhe kemi mobilizuar transaksione me vlerë rreth 200 milionë euro nga sektori privat në Kosovë. Për shumë vite BERZH ka qenë banka e vetme me aftësinë për të investuar në Kosovë\", ka theksuar Viezzoli.
Sipas tij u desh kohë nga pavarësia e deri në dhjetor të vitit 2012, që Kosova të anëtarësohej në BERZH, por kjo nuk ishte vetëm në dorën tonë sepse BERZH është një institucion i sektorit publik, dhe ishte në dorë të të gjithë anëtarëve, që janë 66 qeveri të ndryshme dhe entitete shumë palëshe, pra duhej arritur në konsensusin e duhur, që Kosova të bëhej vend anëtar.
Kur kjo u arrit në nëntor të vitit 2012, në fakt u desh më pak se një muaj - një kohë rekord këtu në bankë - që Kosova të anëtarësohej në Bankën Evropiane.
Anëtarësia për një vend sipas tij do të thotë se BERZH mund të fillojë operacionet e veta, pra, mund të angazhohemi me projekte të gjera në sektorin privat, përfshirë mbështetjen pas privatizimeve.
\"Ne mundet gjithashtu të angazhohemi në transaksione në sektorin publik, siç janë projektet për transportin, për ndërtimin e rrugëve, urave, hekurudhat, transaksionet për energjinë; projekte bashkiake, që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së njerëzve, si uji, kanalizimet, mbeturinat, pra me të gjitha këto ne mund të merremi në të ardhmen\", ka thënë Viezzoli.
Për Kosovën siç ka thënë ai do të jetë shumë i rëndësishëm integrimi rajonal, rrugët, hekurudhat, linjat e transmisionit.
Të gjitha këto kanë bëjnë me integrimin rajonal, me një rol më të mirë të Kosovës në rajon dhe ky është edhe parakusht për të ardhmen e vendit drejt rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian në periudhë afatgjatë.
\"Për BERZH-in do të jetë një sfidë fillimi i punës me partnerët tanë në Kosovë në mënyrë konstante, që do të thotë se ne do të duhet të fillojmë të punojmë me autoritetet publike dhe në nivel bashkish.\"