Vetëvendosje: Thaçi kërkon kontroll për të gjithë institucionet publike
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! organizuan një aksion simbolik në lidhje me zaptimin e institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës nga partia në pushtet.
Në rrethojat e Bankës Qendrore dhe në ato të Agjencisë së Privatizimit u vendosën tabelat E zënë! PDK.
Ky aksion u ndërmor pasi që një numër i madh i përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe deputetëve të opozitës e kundërshtuan publikisht dhe bën thirrje që të ndaleshin nga kandidimi dhe më pas nga zgjedhja në Kuvend këto dy kandidatura krejtësisht partiake si Bedri Hamza për Guvernator dhe Blerim Rexha si kryesues i Bordit të AKP. Por PDK e Hashim Thaçit nuk u ndal nga synimi zaptues.
Sipas Vetëvendosjes, Thaçi duke emëruar njerëz të PDK-së kërkon që të marrë kontrollin e gjitha ndërmarrjeve dhe institucioneve publike në vend.
Kështu pasi e zaptoi Kuvendin, përmes deputetëve të votave të vjedhura dhe atyre të vendeve të rezervuara, Qeveria Thaçi e zgjati vetën edhe në shumicën e bordeve të ndërmarrjeve dhe institucionet publike, të cilat në kushtet e demokracisë duhet të jenë të pavarura nga ndikimi i Qeverisë.
Kjo Qeveri pasi e ka shtri ndikimin dhe e ka marrë sistemin gjyqësor deri në Gjykatën Kushtetuese pastaj RTK-në e kështu me radhë, ajo e morri nën kontrollin e plotë edhe Bankën Qendrore të Kosovës, dhe Agjencionin Kosovar të Privativizmit."
"Këto dy ndërmarrje janë shumë të rëndësishme për Qeverinë e Hashim Thaçit, në mënyrë që përmes AKP-së ta vazhdojë lehtësisht procesin e privatizimit të egër, neoliberal dhe tërësisht të korruptum, kurse përmes BQK-së ta shtrijë dhe ta forcojë kontrollin në industrinë financiare, ka thënë drejtuesi i Sekretariatit për Aktivitete në VV, Frashër Krasniqi .
Sipas tij, kjo qeveri po shpreh haptazi synimet e saja zaptuese dhe nënshtruese.
Përmes emërimit të njerëzve servilë të tij, të cilët janë klonim i Hashim Thaçit, ky i fundit i ka zaptu institucionet publike duke i shpreh qartazi synimet e tij zaptuese, synime këto që janë në kontradiktë të papajtueshme me synimet e shoqërisë tonë për një shtet të zhvilluar dhe demokratik"- vazhdon me tej.
"Shndërrimi i Bankës Qendrore të Kosovës në institucion partiak e klanor, është tejet i rrezikshëm për vendin tonë, ngase BQK-ja është institucioni kryesor financiar i Kosovës dhe ka kompetenca tejet të rëndësishme."
VV konsideron se përmes emërimit të servilëve të tij nëpër institucione e ndërmarrje publike, të njerëzve që janë thjeshtë klonime të Hashim Thaçit, ky i fundit i ka treguar haptazi synimet e tij uzurpuese.