22 Dhjetor 2024

VETËVENDOSJE ngrit padi ndaj Ndërmarrjes Publike Banesore

Prishtinë, 8 gusht - Sot, Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka dorëzuar padinë ndaj Ndërmarrjes Publike Banesore Sh.P.K. (NPB)., Made Group Construction Sh.P.K., Alkos Sh.P.K. dhe Madekos Sh.P.K., për anulimin e kontratës “Kontratë për ndërtimin e përbashkët të objektit banesor afarist”.

Kjo padi vjen pas 1 vit e gjysmë angazhimi në denoncimin e këtij skandali ku 17 mijë m2 pronë publike në mes të kryeqytetit, llogaritur në vlerë 120 milionë euro, u provua të tjetërsohen në pronë private në emër të gjoja se bashkëpunimit publiko-privat, tha asamblisti, Arianit Beqiri në prononcimin e tij.

“Kemi pritur që përbërja e re e Kuvendit Komunal dhe po ashtu ajo e ekzekutivit të Prishtinës ta ndalnin këtë masakër financiare dhe pronësore të bërë nga NPB-ja që është lejuar nga aksionarët e ekzekutivit të kaluar. Por siç dhe shihet, jo vetëm që nuk e kanë ndërmend ta ndalin këtë aferë, por edhe janë angazhuar që pavërejtshëm t’ua përmbushin kushtet deri sa fillimi i punimeve t’i vendosë edhe organet gjyqësore para një akti të kryer.”

“Në këto kushte, ne si përfaqësues të qytetarëve në Kuvendin Komunal të Prishtinës, të pajisur me përgjegjësitë për të mbrojtur interesin qytetar e veçanërisht pronën publike nga shfrytëzimi i së cilës do të duhej të përfitonin të gjithë qytetarët ose ata me më së shumti nevoja e vështirësi, iu drejtuam sot gjykatës me këtë padi dhe kërkesë për masë sigurie në mënyrë që të mbrojmë tjetërsimin që po synohet t’i bëhet mbi 17 mijë m2”, tha Arianit Beqiri.

Ndërkaq, Egzon Azemi nga Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, që deri më tani disa herë ka ngritur këtë skandal, tha se përveç lëndës së padisë janë bashkangjitur edhe 80 faqe prova dhe argumente ku dëshmohen shkeljet e shumta të këtij projekti.

Azemi listoi 6 shkeljet kryesore të këtij projekti:

NPB pa asnjë njoftim ose diskutim paraprak hapi thirrje për investim në ndërtim të lartë në pronën publike. Kur NPB lëshon lokale me qera afati për aplikim zgjatë 15 ditë, ndërsa te ky projekt që është më i madhi në historinë e ndërmarrjes u caktuan vetëm 3 ditë, dhe shpallja ishte e pa vulosur dhe e pa protokolluar.

Kompania fituese "Made Group Construction" u themelua vetëm 1 ditë para aplikimit, dhe fitoi projektin me vlerë minimale 120 milion euro.

Pse ishte kaq i ngutshëm ky veprim? Pse nuk ishte afati më i gjatë që të aplikojnë më shumë kompani? A nuk është në interesin e Ndërmarrjes dhe a nuk do t’i rritej vlera pronës, nëse do të kishte më shumë të interesuar për të?

NPB nuk na dha qasje në dokumentet rreth këtij projekti. Me datë 1 Korrik, në përgjigjen ku u refuzuam, NPB deklaroi se ende nuk ka përfunduar marrëveshja – ndërkohë, pak më vonë, doli se kontrata ishte nënshkruar 3 javë më herët!

NPB dhe këto kompani të dyshimta, po rrënonin pa asnjë kriter mbrojtës azbestin kancerogjen, 10 metra larg Gjimnazit "Xhevdet Doda", 20 metra larg ndërtesave kolektive ku banojnë mijëra qytetarë të Lakrishtës. Pas analizave që u zhvilluan në një laborator Gjerman doli se ky azbest ishte i shkallës së 3-të për nga niveli i rrezikshmërisë. Pra i rrezikshmërisë së lartë.

Pas gjithë këtyre shkeljeve në Ndërmarrjen Publike Banesore, Bordi i NPB-së, i përbërë nga Lendita Mekuli Myderrizi, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bekim Pireva, më 15 tetor, me vota unanime, kishte vendosur për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhaj anëtar i PSD-së, por shkarkimi nuk u lejua të protokollohej nga vet ai dhe vartësja e tij që e ka mbajtur vulën e protokollimit në mënyrë të paligjshme.

Këto shkelje e shumë të tjera janë dëshmi dhe arsye që organet e prokurorisë dhe gjyqësisë të veprojnë sa më parë.


 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)