02 Maj 2024

Vetëvendosje: Me 22 qershor protesta kundër korrupsionit

Prishtinë, 15 qershor - Lëvizja Vetëvendosje! ka bërë të ditur së me 22 qershor do të organizojë protestë paqësore në Prishtinë.

Aktivistët e kësaj Lëvizjeje sot në një konferencë për shtyp shpjeguan arsyet e kësaj proteste.

Albin Kurti ka thënë se pas vjedhjes së votave në Kosovë po vjedhet buxheti, pasuria dhe territori i Kosovës.

"Buxheti po vjedhet me korrupsion në tendera, pasuria po vjedhet me privatizimin e egër kurse territori po vjedhet në negociata me Serbinë", ka theksuar Kurti.

Kjo qeveri sipas tij pasuritë dhe tokën e Kosovës i konsideron si barrë nga e cila duhet të lirohet paraqet barrë për popullin dhe shtetin tonë.

Çmimet dhe papunësia po rriten për qytetarët kurse luksi dhe postet po shtohen për qeveritarët.

Kurti me tej ka theksuar se Buxheti i Kosovës trajtohet si një plaçkë që Qeveria e ka merituar ndërsa qytetarët si shërbëtorë që qeveria iu gjen vend pune nëse janë të dëgjueshëm.

"Në Kosovë po blehet posti publik, por janë qytetarët ata që duhet ta dëshmojnë se nuk mund të blehet heshtja e tyre", ka pohuar ai.

Prandaj, të mërkurën e ardhshme, me 22 qershor, në Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje! organizon protestë paqësore kundër hajnisë së qeveritarëve ndaj pronës dhe ardhmërisë së qytetarëve.

Me aktakuzat e reja ndaj zyrtarëve të lartë publikë e shtetërorë sipas Vetëvendosjes po i ngushtohet rrethi kryeministrit Thaçi.

"Në një intervistë të fundit ai ka paralajmëruar se nuk do të jetë kryeministër herën e ardhshme. Duke qenë i izoluar dhe i shantazhuar atij po i  ngutet që t’ia jap korporatës Bechtel-Enka edhe autostradën Prishtinë-Shkup, ta shesë PTK-në, ta shesë KEK-un, ta likuidojë Trepçën për ta shitur edhe atë, dhe t’ua japë autonominë speciale veriut të Kosovës dhe enklavave me shumicë serbe."

Vetëm duke dhënë pasuri dhe territor të Kosovës ky kryeministër sipas Kurtit mund të marrë ditë të reja në pushtet.

Shpend Ahmeti anëtar i kësaj Lëvizje ka thënë se kjo është qeverisja e cila paguan trefishin e çmimeve të njësive në kontrata të fshehta.

Qeveria sipas tij i ka veturat më luksoze të qeverive në regjion, i shpenzon mbi 18 milionë euro në derivate të naftës, i shpenzon mbi 8 milionë euro në telefona e impulsa, dhe i shpenzon mbi 8 milionë të tjera në udhëtime jashtë vendit. Të gjitha këto janë para tona, para të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

"Këta janë politikanë që brenda natës janë pasuruar e qytetari veçse po varfërohet. Kjo qeverisje me politikat e saj ka rritur çmimet, ndërsa qytetarët i ka futur në kredi të pafundme. Kjo qeverisje iu merr bashkatdhetarëve tonë nga 50 euro në kufi në emër të sigurimeve, e që është shuma më e madhe në regjion. Më shumë se 50 përqind të kësaj janë profit i pastër", ka thënë Ahmeti
 
Kjo qeverisje akuzohet nga prokurorët për keqmenaxhim të ndërmarrjeve publike, ku strategjia është e qartë: ule vlerën përmes hajnive e mandej shite sa më lirë në marrëveshje me blerësin.

"E gjithë kjo hajni bëhet që të mblidhen sa më shumë para të qytetarëve, që në fund të organizohet një sistem autokratik, cenzurues dhe antidemokratik për ta mbajtur pushtetin sa më gjatë për të mirën e tyre e kundër interesit të qytetarëve."

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)