Vetëvendosje lanson fushaten Duaje tënden - Prodhim i vendit
Prishtinë, 14 shtator - Sot Lëvizja Vetëvendosje! mbajti konferencë për media, me çrast gazetarët u njoftuan me lansimin e fushatës Duaje Tënden, me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të prodhimeve vendore.
Konferenca u mbajt në bashkëpunim me njërin nga prodhuesit më të mëdhenj vendorë, kompaninë ASK Trade nga Livoçi i Gjilanit, në lokalet e kësaj të fundit.
Fisnik Ismajli anëtar i Vetëvendosjes ka thënë se duke parë se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk po ndërmerr asgjë për ta promovuar biznesin e vendit dhe si rrjedhojë zhvillimin ekonomik, fushata Duaje tënden është nismë e Lëvizjes Vetëndosje! , për ti nxitur qytetarët të konsumojnë prodhime të vendit, meqë kjo ndikon direkt në zhvillimin ekonomik, rritjen e vendeve të punës dhe mirëqenien sociale të qytetarëve.
Kosova që nga viti 2000 ka importuar nga Serbia mesatarisht afër 300 milionë euro në vit, pra për 11 vjet kemi eksportuar më shumë se 3 miliardë euro të parave tona, të cilat kanë shkuar drejtpërdrejt në financimin e ekonomisë së shtetit të Serbisë dhe rrjedhimisht edhe në financimin e buxhetit të Qeverisë së Serbisë dhe strukturave paralele serbe të cilat tash e 12 vite cënojnë integritetin territorial të vendit tonë.
Këto 40 ditët e fundit kanë qenë ditët më të mira për ekonominë e kosovës dhe prodhuesin vendor. Prodhuesit tonë për pak më shumë se një muaj kanë ngritur dhe përmirësuar kapacitetet teknologjike dhe prodhuese, si dhe ngritje të punësimit në këto kompani.
Pra, prodhuesit vendorë na e kanë treguar të gjithëve troç se Kosova ka mundësi, ka kapacitete, ka aftësi dhe dijeni për tu zhvilluar, por çfarë mungon është vullneti politik, koncepti zhvillimor dhe konsistencë e politikave qeverisëse.
Synimi i kësaj fushate sipas Ismajlit është ta vetëdijësojë konsumatorin se në Kosovë ka shumë prodhime të vendit, me cilësi të lartë, të cilat mund ti zëvendësojnë ato të huajat, posaçërisht ato serbe, në një moment kur prodhimet nga Serbia, me heqjen e masave të reciprocitetit, të përkrahura nga qeveria e tyre, pasnesër priten të rikthehen fuqishëm në tregun e Kosovës.
\"Këtë do ta bëjmë përmes kësaj shenje identifikuese, që thotë Duaje tënden Prodhim i vendit e cila do të vendoset nëpër prodhime të vendit, për ti veçuar ato nga prodhimet tjera në treg. Ne kemi prodhuar qindra mijëra letra ngjitëse, të cilat aktivistët tonë do ti vendosin në prodhimet e vendit nëpër dyqane dhe pika tjera të shitjes.\"
Prandaj, i ftojmë të gjithë prodhuesit e vendit, që ta vendosin këtë shenjë identifikuese edhe në dizajnet e ambalazheve te tyre, për ta ndihmuar shitjen e prodhimeve të tyre. Ne madje jemi të gatshëm tu ndihmojmë të gjithëve për ta inkorporuar këtë shenjë në dizajnet e prodhimeve vendore.