Vetëvendosje: Komuna e Fushë Kosovës vjedh qytetarët
Prishtinë, 19 gusht - Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se Komuna e Fushë Kosovës u ka plaçkitur qytetarëve nga 150 euro si taksë për regjistrimin e patundshmërive.
Pagesa sipas Vetëvendosjes ka qenë paushalle për periudhën deri në dhjetor 2014, për secilën pronësi, duke cënuar interesin e qytetarëve në aspektin e shumës së parave të cilën është dashur të inkasohet në rastin e regjistrimit.
Komuna e Fushë Kosovës ka inkasuar taksat për regjistrimin e pronësisë bazuar në Rregulloren për Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba komunale, të vitit 2013. Në këtë rregullore, Neni 9 i referohet Udhëzimit Administrativ 05/2012 të Ministrisë së Mjedisit.
Mirëpo në këtë rregullore nuk ka një tarifë paushalle në lartësi prej 150 për regjistrimin e pronësisë, madje ky udhëzim administrativ nuk përmban tarifa për regjistrimin e pronësisë.
Ky udhëzim përmban tarifat për ndarje të parcelave dhe matjet e kufijve dhe sipërfaqeve të sendeve të paluajtshme (ndërtesave, banesave, lokaleve afariste, tokave bujqësore etj.).
Për regjistrimin e këtyre pronave është dashur të aplikohen taksa sipas Udhëzimit Administrativ 08/2014.
Ekzekutivi i Komunës së Fushë Kosovës nuk është kujdesur që të përcjellë trendet e ndryshimit të lartësive të taksave, kështuqë për këtë neglizhencë është dëmtuar qytetari.
Lëvizja Vetëvendosje! i njofton qytetarët se kanë të gjitha të drejtat të kërkojnë kompenzimin e të hollave që janë mbledhur nga inkasimi i kësaj takse dhe qoftë individualisht apo kolektivisht ta padisin Komunën për pasurim pa bazë - që përndryshe njihet edhe si burim i detyrimeve në kuptimin e së drejtës së detyrimeve siç është paraparë edhe me Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve.