Veterani i UÇK-së nuk mund të jetë shfrytëzues i asnjë pensioni tjetër
Prishtinë, 19 nëntor - Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) përmes këtij njoftimi njofton të gjithë veteranët e luftës së UÇK-së, të cilët kanë aplikuar për realizimin e pensionit sipas Ligjit Nr. 04/1-261 për veteranët e UÇK-së, ku përcaktohen të drejtat dhe beneficionet për këtë kategori dhe për anëtarët e ngushtë të familjeve të tyre se veterani luftëtar i UÇK-së realizon pensionin personal të veteranit luftëtar i UÇK-së sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj.
\"Veterani luftëtar i UÇK-së nuk mund të jetë shfrytëzues i asnjë pensioni tjetër nga skemat pensionale të financuara nga shteti. Në rast se veterani është shfrytëzues i ndonjë skeme pensionale në Republikën e Kosovës, duhet të përcaktohet se cilin pension dëshiron të shfrytëzoj\", theksohet në njoftimin e MPMS-se.
Të gjithë ata veteranë që janë të punësuar në sektorin publik apo privat nuk kanë të drejtë të përfitimit të pensionit të veteranit të UÇK-së.
Në rastet kur veterani aplikon për pension personal të veteranit, por është shfrytëzues në ndonjërën nga skemat tjera pensionale, nënkupton se veterani është përcaktuar me vullnetin e tij personal dhe nëse i plotëson kriteret e parapara me ligjin e lartcekur dhe sipas U.A 01/2015, atij ose asaj do t\'i ndërpritet pensioni tjetër dhe do të shfrytëzoj vetëm pensionin personal të veteranit të UÇK-së.