15 Nëntor 2024

Vetëm Suhareka e Rahoveci kanë publikuar raportet e Auditorit

Prizren, 22 shkurt - Raportet e Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat financiare të vitit 2014 janë publikuar nga vetëm dy komuna fqinje të Prizrenit në ueb faqet e tyre zyrtare, derisa katër komunat tjera nuk i kanë prezantuar ato deri më tani.

Komuna e Suharekës dhe Komuna e Rahovecit janë të vetmet që kanë krijuar mundësinë për vizitorët e ueb faqeve zyrtare të tyre që të njihen me përmbajtjen e plotë të Raportit përkatës të Auditorit.

Ndërsa Raporti i Auditorit nuk figuron në ueb faqet e komunave të Dragashit, Malishevës dhe Mamushës. Komuna e Shtërpcës në anën tjetër ka të publikuara raporte të viteve paraprake të Auditorit, por jo edhe atë për vitin 2014.      

Raportet e nxjerra nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, siç thuhet edhe në hyrjet e Raporteve të Auditimit, “promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien pasi ato ofrojnë bazë për t’i  kërkuar llogari menaxherëve të çdo organizate buxhetore”.

Në këtë rast, Raportet e Auditimit, ofrojnë bazë për të kërkuar llogari nga kryetarët e komunave përkatëse për mënyrën e qeverisjes së parasë dhe pasurisë publike, si dhe për të parë nëse shpenzimi i fondeve publike është në përputhje me interesin e taksapaguesve.

EC Ma Ndryshe e ka parasysh faktin se Raportet e Auditimit për këto komuna janë të publikuara dhe të qasshme për të gjithë në ueb faqen e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm. Megjithëkëtë publikimi i tyre edhe në ueb faqet e komunave do të dëshmonte një përkushtim të vet lidershipit komunal për llogaridhënie dhe transparencë në menaxhimin e fondeve publike.   

Po ashtu konsideron se informimi i publikut për praktikat e mira por edhe të metat e komunave në menaxhimin e financave publike paraqet një tregues të rëndësishëm për nivelin e transparencës së tyre.

Duke i marrë parasysh të gjitha këto, EC Ma Ndryshe rekomandon komunat fqinje të Prizrenit që Raportet e Auditorit të Përgjithshëm t’i publikojnë në ueb faqet e tyre në vazhdimësi, sikurse që të nisin edhe praktikën e hartimit dhe publikimit të raporteve periodike mbi gjendjen e zbatimit të rekomandimeve të adresuara nga Auditori i Përgjithshëm.

Projektin “Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale” EC Ma Ndryshe ka nisur që ta zbatoj nga maji i vitit 2015, falë përkrahjes së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, i cili ka shtrirje në komunat e mëdha të Kosovës, Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë, sikurse edhe në Suharekë, Rahovec, Malishevë, Dragash, Mamushë dhe Shtërpcë.

Projekti në fjalë ka për qëllim që ti asistoj komunat në identifikimin e mangësive kryesore sa i përket transparencës sikurse edhe të ofroj udhëzime për adresimin dhe tejkalimin e tyre. Indeksi i Transparencës paraqet edhe një përpjekje të strukturuar për të mbështetur komunat e Kosovës në përmbushjen e standardeve të qeverisjes së mirë, të përcaktuara me reformën e qeverisjes lokale dhe agjendën evropiane të Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)