Vetëm gjatë periudhës janar-shtator ATK ka inkasuar 542.8 milionë euro tatime
Prishtinë, 26 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në Konferencën e parë Rajonale për Përmirësimin e Menaxhimit të Borxhit Tatimor, organizuar në Kosovë nga CEF Qendra e Ekselencës Financiare, Slloveni, në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Administratën Tatimore tÑ Kosovës dhe Administratën Tatimore tÑ Holandës.
Kryeministri Kurti teksa shprehu kënaqësinë që sot ishte i pranishëm në këtë punëtori, tha se fakti që këto institucione të respektuara ndërkombëtare po e konsiderojnë Administratën Tatimore të Kosovës si rast studimor për të mirë, tregon për përkushtimin, përgjegjshmërinë dhe profesionalizmin në rritje të këtij institucioni.
Duke folur për sukseset e Administratës Tatimore të Kosovës, kryeministri theksoi se ky institucion ka përmirësuar inkasimin e të hyrave dhe se vetëm gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2022 janë inkasuar 542.8 milionë euro tatime, që paraqesin të hyra rekord.
‘’Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi rritje prej 95.8 milionë euro apo 21.4 %. Ndërsa, në krahasim me planin tonë kemi tejkalim të tij për 33.9 milionë euro apo 6.7%’’, tha kryeministri.
Para të pranishmëve në këtë ngjarje, kryeministri Kurti përmendi edhe Konsolidimin e Funksionit të Mbledhjes së Borxheve, si një ndër reformat më kryesore, e cila ka ngritur thelbësisht cilësinë e menaxhimit të borxheve tatimore.
Kjo performancë pozitive, shtoi më tej ai, është rezultat i rritjes së disiplinës në administratën tatimore dhe i numrit të inspektimeve në njërën anë dhe i rritjes së moralit tatimor apo motivit për të paguar taksa nga ana e qytetarëve, në anën tjetër.
“Kur qytetarët dhe bizneset e shohin se institucionet nuk janë të korruptuara dhe nuk po keqpërdorin dhe po e ruajnë paranë publike, e shpenzojnë me kujdes dhe plan e me llogaridhënie, ata janë më të gatshëm që të paguajnë taksat, të bindur se ato pastaj do të përdoren për të mirën publike nëpërmjet shërbimeve publike’’, deklaroi kryeministri.
Kryeministri Kurti përgëzoi organizuesit për këtë punëtori, e cila siç tha ai, ju mundëson avancim të njohurive dhe praktikave përmes shkëmbimit të ekspertizave ndërinstitucionale dhe ndërshtetërore.