Veseli: Zhvillimi ekonomik është prioritet yni i vazhdueshëm
Prishtinë, 1 gusht - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë një rezyme të aktivitetit të Kuvendit për këtë sesion në fushën e ekonomisë.
Nëpërmjet një postimi, kryetari Veseli ka evidentuar hapat e ndërmarrë në këtë drejtim, në funksion të krijimit të një baze sa më të përshtatshme ligjore për bizneset dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Nga dita e parë e mandatit të kësaj legjislature kuvendore, prioritet është zhvillimi ekonomik, krijimi i kushteve dhe lehtësirave ligjore për të zhvilluar biznes, thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional duke amandamentuar dhe sjellë ligje të reja që ndikojnë në këtë fushë, si dhe në përmirësimin e sundimit të ligjit, ka vlerësuar kryetari Veseli.
Krijimi i platformës për dialog të vazhdueshëm me Komunitetin e biznesit duke e bërë partner të fuqishëm në draftimin dhe hartimin e legjislacionit ishte ndër veprimet e para në këtë drejtim. Në bashkëpunim me USAID-in, ka shtuar z. Veseli, është përcaktuar një agjendë të reformave ekonomike për këtë vit, duke sjellë Ligjin për kamatëvonesat, Ligjin për Kambialin, Ligjin për Fondin e Garantimit të Kredive.
Procedimi i ligjeve tatimore, largimi i tatimit në dividendë, si dhe pranimi i të gjitha shpenzimeve të trajnimit në vitin në të cilin kanë ndodhur, theksojnë përkushtimin tonë që ligji të jetë i dobishëm edhe për punëdhënësin edhe për punëmarrësin, sepse ky ligj ka ndikim në favorizimin e aftësimit të fuqisë punëtore, thënë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.