15 Nëntor 2024

Veseli: Zhvillimi ekonomik duhet të jetë alfa dhe omega

Prishtinë, 26 prill - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në ceremoninë e themelimit të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive, e cila u mbajt sot në Prishtinë, organizuar nga Agjencioni i SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në partneritet me Qeverinë e Kosovës dhe donatorë të tjerë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari Veseli, fillimisht, shprehu kënaqësinë që Kuvendi i Kosovës ka aprovuar një ndër ligjet më të rëndësishme në fushën e zhvillimit ekonomik, siç është ai për inaugurimin e këtij fondi, ndërsa falënderoi përzemërsisht Qeverinë e SHBA-ve, përkatësisht ambasadën amerikane në Prishtinë dhe USAID-in, për mbështetjen e madhe në këtë drejtim.

Veseli theksoi se edhe institucionet e Kosovës duhet të shtojnë përpjekjet për të nxitur potencialin tonë, i cili gjendet tek rinia, për të hyrë në botën e biznesit.

Ai tha se sfida themelore me të cilën ende ballafaqohet ekonomia jonë, është e ndërlidhur ngushtë me funksionalizimin dhe çlirimin e potencialit human dhe natyror. Funksionalizimi i potencialit njerëzor, shtoi kryetari Veseli, është ngushtë i lidhur me stimulimin e rinisë për të hyrë në biznes.

“Deri më tani ka qenë shumë e vështirë për një të ri në Kosovë të transformojë një ide biznesi në realitet të ndërmarrësisë, për shkak të qasjes së limituar në burimet e financimit. Duke pasur qasje në financa, njerëzit e talentuar do të jenë të motivuar edhe më shumë të mendojnë për biznes, pasi që realizimi i ideve të tyre do të jetë tanimë diçka e arritshme”, theksoi kreu i Kuvendit të Kosovës.

Duke lëshuar 4500 kredi të reja, për ndërmarrje të mesme dhe vogla (NMV) në gjashtë vitet e saj të parë të operimit, tha në vazhdim të fjalës së tij Veseli, me e efektin e rritjes do të kemi edhe 10,000 biznese tjera.

Këto kredi, sipas tij, do të rezultojnë me 360 milionë euro në financim të ri, i cili do të krijojë 20,000 vende të reja pune, të cilat do të mbështesin rritjen e prodhimit vendor dhe eksportit.

“Prodhimi dhe eksporti do të përmirësojnë bilancin tregtar dhe bazën e të ardhurave nga taksat. Në këtë mënyrë, ekonomia jonë rritet dhe shteti forcohet e bëhet më efektiv në ofrimin e shërbimeve të tij për qytetarët, rritjen e produktit dhe përmirësimin e jetës sociale. Kjo është rruga e zhvillimit real ekonomik që duhet të ndjekim. Zhvillimi ekonomik duhet të jetë alfa dhe omega e gjithë aktivitetit tonë institucional. Kemi humbur shumë kohë dhe energji në agjenda të padobishme. Të mos humbim edhe më shumë”, tha ndër të tjera në fjalën e tij kryeparlamentari Veseli, ndërsa shtoi se Kuvendi, së bashku me Qeverinë, do të jetë çdo herë në mbështetje të çdo iniciative e cila ka për qëllim rritjen e ndërmarrësisë, të produktit e të eksportit në Kosovë, si dhe zvogëlimin e papunësisë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)