Veseli: Shteti ynë mbështet iniciativën e lirë ekonomike
Shtime, 20 maj - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, mori pjesë në ceremoninë e lëshimit në punë të sistemit për prodhimin e tubave prej çeliku, në Fabrikën Exim Metal, në Koshare të Shtimes.
Ditën e sotme, kryetari Veseli e konsideroi të veçantë për të gjithë qytetarët e Kosovës, jo vetëm pse po hapet kjo fabrikë, por për mesazhin që përcjell ajo, se vendi ynë është vend i burimeve natyrore dhe potencialit të fuqishëm njerëzor, është vend ku mund të investohet kapitali prodhues, ku iniciativa e lirë mund të krijojë vende pune dhe zhvillim ekonomik, dhe ku njerëzit e duan punën dhe mirëqenien që buron nga puna.
Ne kemi për obligim ta aktivizojmë këtë potencial, për ta kthyer vendin tonë në vend atraktiv për të gjithë ata që duan të investojnë idetë dhe kapitalin e tyre.
Ti heqim pengesat burokratike dhe ndryshojmë ligjet që nuk stimulojnë zhvillimin ekonomik. Shteti nuk guxon të bëhet pengesë e iniciativës së lirë ekonomike, theksoi kryetari Veseli, ndërsa shtoi se MSA-ja dhe liberalizimi i vizave kanë krijuar mundësi të reja për sipërmarrësit, ngase ekonomia jonë tani po del nga izolimi. Tash, shtoi Veseli, sipërmarrësit tanë mund të ndërtojnë kanale të komunikimit dhe partneritetit me tregjet ndërkombëtare dhe gradualisht të bëhen pjesë e këtyre tregjeve me prodhimet e tyre.
Sot ne duhet të ndërtojmë një mentalitet të ri në vendin tonë, mentalitetin që patriot e konsideron atë që punon duke respektuar ligjin dhe hap qoftë edhe një vend të ri të punës, patriot atë që beson se pasuria vjen vetëm përmes punës së ligjshme. Mentalitetin që patriot e konsideron arsimtarin që ofron edukim kualitativ, e mjekun që ofron shërbime cilësore shëndetësore. Ky është mentaliteti ynë i zhvillimit, theksoi Veseli.