Veseli: Procesi i lirimit të pronave të uzurpuara do të vazhdojë
Gjatë vizitës së një lokali të liruar në qendër të Prishtinës, kryeparlamentari Veseli e uroi pronarin e ligjshëm, Naser Januzi për pronën e liruar.
Ndërsa, Januzi e falënderoi kryeparlamentarin Veseli për iniciativën dhe vendosmërinë për lirimin e të gjitha pronave të uzurpuara.
Pastaj, kryeparlamentari Veseli dhe përfaqësuesit e AKP-së vizituan pronën prej 1 hektar e 50 ari, e cila i është kthyer pronarit të ligjshëm, kompanisë "Emona".
Kryeparlamentari Veseli tha me këtë rast se procesi i lirimit të pronave do të vazhdojë deri në lirimin e çdo prone të uzurpuar.
"Prona private është e shenjtë dhe pa kthimin e pronave tek pronarët e ligjshëm nuk mund të presim zhvillim dhe investitorë të huaj. Unë inkurajoj gjitha institucionet e rendit dhe ligjit që të vazhdojnë lirimin e gjitha pronave të uzurpuara", tha Veseli.
Gjatë bashkëbisedimit me pronarët e ligjshëm të pronës së liruar në Vushtrri, kryeparlamentari Veseli u njoftua se ata së shpejti do të investojnë në pronën e tyre 4 milionë euro, ku pritet të punësojnë rreth 150 punëtorë.
"E falënderojmë shumë kryetarin e Kuvendit për iniciativën dhe insistimin për lirimin e pronave të uzurpuara. Ne e kemi blerë këtë pronë në privatizim dhe tani që na është liruar kemi projekt 4 milionë euro për investime", tha Ylber Kuraja, përfaqësues i kompanisë "Emona".
Edhe drejtori i AKP-së, Petrit Gashi, tha se institucion që ai drejton, është duke punuar për lirimin e gjitha pronave të uzurpuara dhe kthimin e tyre tek pronarët e ligjshëm.