Veseli: Prioritet i institucioneve është zhvillimi ekonomik
Prishtinë, 5 maj - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliun. Në takim u bisedua për trendët ekonomikë në vend, gjendjen dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik të vendit.
Gjithashtu u diskutua për prioritetet që lidhen me agjendën legjislative, mënjanimin e barrierave ligjore që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes.
Veseli theksoi se prioritet i institucioneve është zhvillimi ekonomik dhe ngritja e mirëqenies së qytetarëve.
Komuniteti i biznesit le të ushtrojë me kompetencë mandatin me qëllim të përmirësimit të klimës për të bërë biznes, ta mbrojë atë, të zhvillojë ndikim në sjelljen e ligjeve dhe krijojë mekanizma legalë për heqjen e çdo barriere që pengon apo ngulfat krijimin e vendeve të reja të punës, dhe përfundimisht, largimin e ndikimit të politikës në biznes, thekoi mes tjerash, kryetari Veseli.
Bashkëbiseduesit u pajtuan që së shpejti të zhvillohen edhe takimet tjera të përbashkëta në nivele fillimisht konsultative, e më vonë edhe të përhershme, duke evidentuar detyra afatshkurtër dhe afatgjatë të relacionit komunitet i biznesit-Kuvend i Kosovës, me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve për të promovuar të bërit biznes në vendin tonë, tërheqjen e investitorëve dhe përmirësojë imazhin e të bërit biznes.