Veseli kërkoi nga FMN të ndihmojë Kosovën në zhvillimin ekonomik
Prishtinë, 15 janar - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, Jacque Miniane.
Në takim u bisedua për bashkëpunimin e mirë të deritashëm, agjendën kuvendore, si dhe për miratimin e ligjeve që ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit.
Kryetari Veseli theksoi domosdonë e përmirësimit të gjendjes aktuale ekonomike dhe përkushtimin e Kuvendit për aprovimin e ligjeve që prekin drejtpërdrejtë zhvillimin ekonomik, projektet që varen nga ligjet në procedurë, si dhe gatishmërinë e Kuvendit për ti proceduar sa më parë.
Miniane shprehu besimin se Kuvendi do të realizojë prioritetet e veta dhe do ta përmbushë agjendën legjislative, duke theksuar se zhvillimi ekonomik i vendit kërkon angazhim të shtuar dhe duhet të jetë prioritet i parë i institucioneve.
Në takim janë diskutuar edhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe FMN-së për të përmirësuar rrethanat ekonomike në Kosovë.