15 Nëntor 2024

Veseli: Asnjë gur i Kosovës nuk do të privatizohet

Prishtinë, 29 janar - Në kuadër të komunikimit të vazhdueshëm me institucionet e pavarura, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me të cilët bisedoi për sfidat me të cilat po përballet kjo agjenci dhe veprimet që do të ndërmerren në të ardhmen.

Temë qendrore e diskutimeve në këtë takim ishte çështja e pronave të uzurpuara, një problem ky mjaft shqetësues, i cili ka përcjell në vazhdimësi punën e kësaj agjencie. Ishte dakordim i përbashkët që shumë shpejt të bëhet publike lista e uzurpatorëve, në mënyrë që të dihen emrat e atyre që vazhdojnë të mbajnë të uzurpuara pronat publike dhe shoqërore në Kosovë.

Duke kërkuar që këtë proces ta përcjellë transparencë e plotë, kryeparlamentari Veseli tha se askush nuk duhet të gabohet dhe të besojë se mund të përfitojë nga prona e huaj. Ai tha se prona është e shenjtë dhe është e patolerueshme që sot të ketë ende prona të uzurpuara.

Në takim, u diskutua gjithashtu, edhe për mundësitë e shtimin e prodhimit vendor, duke rritur të punësuarit në veprimtari prodhuese. U vlerësua se një mundësi e mirë për këtë është rritja e investimeve të huaja, si dhe nga diaspora. Në funksion të kësaj, kryetari Veseli theksoi nevojën e krijimit të zonave të reja ekonomike, të cilat do t’u krijonin mundësi të reja investitorëve të huaj dhe atyre vendorë.

“Në zonat e lira ekonomike, investitorët potencialë të joshen me dhënien e tokave në koncesion, për një periudhë të gjatë, si kundërvlerë për investime dhe vende të punës. Gjithashtu, edhe asetet e tjera për të cilat ka interes nga investitorët kredibilë, duhet dhënë për 1 euro, në mënyrë që të gjenerohen vende pune dhe investime”, theksoi Veseli.

Kryetari Veseli bëri të ditur se punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara, do të vazhdojnë të marrin 20 përqindëshin, si një e drejtë e patjetërsuar e tyre.

Lidhur me Trepçën, kryeparlamentari Veseli theksoi se kjo ndërmarrje, si aset shumë i rëndësishëm ekonomik i Kosovës, do të ketë perspektivë dhe nuk do të mbetet vetëm krenari historike e vendit.

“Kuvendi, në bashkëpunim me komisionin ndërqeveritar, ka filluar projektin për të ardhmen e Trepçës dhe në një të ardhme të afërt priten propozimet konkrete. Së shpejti do të kemi Ligjin për Trepçën. Asnjë gur i Kosovës nuk do të privatizohet. Veprimtaria ekonomike do t’u nënshtrohet rregullave të ekonomisë së lirë të tregut, por asetet të cilat kanë të bëjnë me miniera, nuk do të privatizohen”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Kryetari i bordit të AKP-së, Petrit Gashi, nga ana e tij, u ndal në një sërë çështjesh me të cilat përballet bordi i ri dhe komplet kjo agjenci, duke shprehur përkushtimin që t’u dilet mbanë të gjitha sfidave që ajo ka para vetes, si në procesin e privatizimit, ashtu edhe të largimit të uzurpatorëve nga pronat dhe shpërndarjen e 20 përqindëshit për punëtorët. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)