Veriu i Mitrovicës nuk i liron pronat e uzurpuara
Prishtinë, 15 qershor - Nga marsi i vitit 2014, kur Policia e Kosovës kishte rifilluar të asistonte Agjencinë Kosovare të Pronës në realizim të dëbimeve nga pronat e uzurpuara në veri të Mitrovicës, e deri në dhjetor, janë realizuar vetëm 7 dëbime.
Ndërkohë që në pjesën veriore të Mitrovicës aktualisht janë në pritje edhe 279 kërkesa për dëbime, shkruan sot Koha Ditore.
Gjatë vitit 2014 në pjesën veriore të Mitrovicës janë realizuar gjithsej 7 dëbime. Në pjesën veriore të Mitrovicës aktualisht janë në pritje 279 kërkesa për dëbime, ka thënë për gazetën, zëdhënësi i Agjencisë, Arian Krasniqi.
Dëbimet në atë pjesë kanë qenë problematike për shkak të situatës politike, gjë që është evidentuar edhe në raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Pronës të vitit 2014.
Procesi i dëbimit i mbështetur nga Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës rifilloi në shtator të vitit 2009, megjithatë u ndërpre pas një incidenti në janar 2010. Për të siguruar vazhdimësinë e funksionimit në veri të Mitrovicës, AKP-ja vendosi që të vazhdojë me dëbimet pa mbështetjen e policisë, pasi që këto ishin më pak të kundërshtueshme, meqë shumica e rasteve janë përfunduar me dialog, thuhet në këtë raport. Megjithatë, sipas raportit, kjo nuk ishte një situatë e qëndrueshme.
/Koha Ditore/