Vazhdon rindërtimi në veri
Mitrovicë, 20 korrik - Rexhep Xhaka dhe Afrim Olloni së bashku me familjet e tyre, kanë nisur jetën e re në shtëpitë e rindërtuara në kuadër të aksionit humanitar Ndihmo edhe ti në Kroin e Vitakut në veri të Mitrovicës.
Ata falënderojnë donatorët dhe komunën që ju kanë ndihmuar për tu vendosur në shtëpitë e tyre e të reja.
Rexhep Xhaka, tha se prej përfundimit të luftës kanë jetuar në kushte të rënda në jug të qytetit. Që 14 vite kemi jetuar me qira, tash deshi fati që të na ndihmojmë dhe të kthehemi në shtëpinë tonë.
Ndërsa, kryetari i komunës, Avni Kastrati, i cili së bashku me nënkryetarin, Riza Haziri dhe kryesuesin e Kuvendit të Komunës, Rrustem Musa, morën pjesë në përurimin e këtyre shtëpive, theksoi se procesi i rindërtimit është duke vazhduar.
Ne po punojmë në lagje të ndryshme të veriut që të krijojmë kushte për tu kthyer të gjitha ata që kanë jetuar më parë këtu, të cilëve u ishin djegur shtëpitë në luftë.
Kryetari Kastrati, paralajmëroi përurimin e shtëpive të tjera në javët tjera.
Do të vazhdojmë me punë. Është duke u punuar në Kroin e Vitakut dhe në Lagjen e Boshnjakëve. Jemi shumë të lumtur që po mund tu ndihmojnë qytetarëve tanë që të kthehen në shtëpitë e tyre.
Ndryshe shtëpitë që u përuruan të shtunën janë rindërtuar nga kompania Buqaj dhe kompania Ariani. Vetëm në kuadër të aksionit humanitar janë rindërtuar 50 shtëpi në lagje të ndryshme të veriut.