Vazhdon fiskalizimi i tregtarëve të karburanteve
Prishtinë, 2 shtator - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar të gjitha bizneset që merren tregtimin e karburanteve që nga data muaji Shtator 2014, në bashkëpunim me operatorët e licencuar për Pajisje Elektronike Fiskale (PEF) do të vazhdoj me shtrirjen e procesit të fiskalizimit .
ATK është e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe obligimeve që dalin nga legjislacioni tatimor dhe plani strategjik i ATK-së. Kontribut të veçantë në ngritjen e mirëqenies për të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të gjithë tatimpaguesit që i kryejnë obligimet e tyre tatimore, në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e legjislacionit tatimor të aplikueshëm në Kosovë.
Me qëllim të rritjes së përmbushjes vullnetare të obligimeve nga tatimpaguesit, ofrimit të shërbimeve profesionale, transparente dhe efektive dhe posaçërisht zbatimit të drejtë dhe të njëtrajtshëm të legjislacionit tatimor për të gjithë tatimpaguesit, ATK kërkon nga bizneset që deri tani kanë dështuar të fiskalizohen, ta përmbushin këtë detyrim (përfundojnë procedurat e fiskalizimit), në afatin sa më të shkurtër kohor.
ATK, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe obligimeve që dalin nga legjislacioni tatimor, andaj, të gjithë tatimpaguesit që nuk i përgjigjen kërkesës ligjore për tu pajisur me pajisje elektronike fiskale, do të jenë objekt i përndjekjes për shkelje penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kërkesa e përcaktuar me ligj për të regjistruar transaksionet përmes pajisjeve elektronike fiskale (lëshimi i kuponëve me rastin e shitjes së mallrave dhe shërbimeve), është në dobi të qytetarëve të Kosovës. Kjo përmirëson aftësinë e Administratës Tatimore për tu siguruar që të gjithë tatimpaguesit po i përmbushin obligimet e tyre tatimore dhe po i raportojnë me saktësi të ardhurat e tyre.
Për informatat të tjera, ju lutemi vizitojeni faqen tonë të internetit www. atk-ks.org apo kontaktoni zyrat regjionale të ATK-së.