Vazhdojnë keqpërdorimet në Ministrinë e Punëve të Jashtme
Prishtinë, 14 qershor - Raportet e fundit te Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës (ZAP) dëshmojnë shkeljet financiare në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Integrimeve Evropiane.
Edhe këtë vit, sipas Auditorit të Përgjithshëm, Ministria e Punëve të Jashtme ka vazhduar të bëjë shkelje të rënda financiare duke keqpërdorur buxhetin e Kosovës dhe paranë publike.
Edhe pse rekomandimet e auditimit kanë për qëllim përmirësimin e kontrolleve financiare dhe aspekteve tjera të aktiviteteve operative, ZAP vëren një përkeqësim të mëtutjeshëm të financave publike dhe një menaxhment joefikas e të ndikuar politikisht.
Zyra e Auditorit të Përgjithshëm vëren se rekomandimet e tyre të fundit nuk janë përfillur në veçanti në fushat si: hartimi i buxhetit, të hyrat, kompensimet e pagave, udhëtimet jashtë vendit, shpenzimet telefonike, keqpërdorimi i automjeteve zyrtare, etj.
Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e shqetësuar me menaxhmentet e MPJ-së dhe MiE-së të cilat duket se nuk janë të vëmendshme për keqpërdorimin e parasë publike.
MPJ dhe MiE duhet të sigurojnë se të gjitha shpenzimet bëhen në bazë të rregullave financiare dhe se nuk duhet lejuar përsëritjen e praktikave të shpenzimeve të pa aprovuara.
Auditori i Përgjithshëm ka bërë thirrje që të merren masa në forcimin e kontrollit të shpenzimeve të udhëtimit jashtë vendit në mënyrë që udhëtimet të bëhen në bazë të aprovimeve dhe brenda buxhetit të aprovuar.
LDK thekson se MPJ ka bërë shkelje duke paguar bileta te aeroplanit për persona të cilët nuk punojnë fare ne këtë Ministri dhe të cilat udhëtime nuk kishin aprovime paraprake nga askush. MPJ ka tejkaluar shpenzimet e udhëtimeve jashtë vendit për mbi 30% ose afër 250.000,00 Euro.
LDK ka ngritur disa herë zërin për instalimin e nepotizmit dhe politizimin e procesit të rekrutimit.
ZAP dëshmon që procesi i rekrutimit nuk ka qenë objektiv dhe transparent, dhe nuk ka siguruar trajtime të barabarta për të gjithë kandidatët.
Ndërsa, gradimi i nëpunësve për shërbimin e jashtëm nuk është bërë sipas procedurave (përfshi shqyrtimin dhe miratimit nga komisioni për grada dhe disiplinë).
MPJ ka qenë, dhe vazhdon të jetë, një shembull i keq i keqpërdorimeve në konkurse. Ministri Hoxhaj ka punësuar shumë miq të tij në MPJ.
Pas punësimit të militantëve partiak, Hoxhaj transferon nga pozita e Këshilltarit Politik në atë të Drejtorit të Medieve Artan Behramin, derisa javën e kaluar edhe dy këshilltarë tjerë të tij i transferon në pozita të shërbyesve civil, të cilët njëkohësisht vazhdojnë të mbajnë dy pozita, edhe të Këshilltarëve Politik edhe Shërbyesve Civil që është një shkelje e rëndë e ligjit.
Një tjetër fushë e keqpërdorimeve ka qenë keqpërdorimi i pasurisë, e sidomos automjeteve zyrtare, respektivisht shfrytëzimi i tyre për 24 orë nga stafi politik i Ministrave gjë që bie në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 03/2008.
Konkluzioni i përgjithshëm i Auditorit të Përgjithshëm është se MPJ ka nevojë për përmirësime të shumta të kontrolleve të brendshme.
Problemi më i theksuar vazhdon të jetë shpenzimet e pa rregullta dhe të pa aprovuara të Misioneve Diplomatike të Kosovës. Shkelje të rënda janë bërë me rastin e mosaprovimit të shpenzimet për mallra dhe shërbime të Misionet Diplomatike të Kosovës në vlerë prej 256,292,00.
Vërehet qartë se kontrolli i brendshëm në formën e tanishme, nuk siguron se fondet publike shpenzohen në pajtim me rregullat financiare.
LDK i bënë thirrje institucioneve gjyqësore që urgjentisht të hetojnë këto keqpërdorime.
LDK kërkon nga menaxhmenti i këtyre ministrive që të bëjnë një rishikim të thellë të sistemit të kontrollit të brendshëm, duke i analizuar me kujdes të gjitha dështimet e kontrolleve dhe dukë përfillur urgjentisht të gjitha rekomandimet e adresuara nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.