Vazhdohet me realizimin e Projektit Punët Publike - Kosova 2012

Prishtinë, 15 mars - Edhe gjatë këtij viti do të vazhdohet me implementimin e programit, që u tregua i suksesshëm gjatë dy viteve të kaluara, Punët Publike Kosova 2012, një bashkëpunim që ka rezultuar i suksesshëm me të gjitha komunat e Kosovës.
Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, në pranin e shumicës së kryetarëve të komunave ka thënë se të gjithë mund të konkurrojnë me projektet e tyre që ata i konsiderojnë si të rëndësishme për zhvillimin dhe mirëqenien e komunave të tyre prej nga ata edhe vijnë, duke u bazuar në prioritetet e tyre.
Në vazhdim është bërë prezantimi i Manualit për programin Punët Publike Kosova 2012, ku të pranishmit janë njoftuar me të gjitha format e aplikimit për projektet që ata do të prezantojnë.
Objektiv i këtij programi u tha se është gjenerimi i punësimit të përkohshëm për të papunët afatgjatë të cilët janë të regjistruar në Shërbimet Publike të Punësimit.
Përmes këtij programi do të synohet mirëmbajtja dhe rehabilitimi i pasurive (aseteve) komunale dhe të hapësirave publike, ku komunat në projektet e tyre mund të përfshijnë rigjenerimin urban, mirëmbajtjen dhe riparimin e infrastrukturës komunale, hapësirave publike, ruajtja dhe rehabilitimi i mjedisit etj.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të jetë udhëheqës i përgjithshëm i programit Punët Publike Kosova 2012, ku është e obliguar të siguroj kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe logjistike për implementimin, monitorimin dhe vlerësimin e programit ku edhe do marrë vendimet përfundimtare mbi financimin e projekteve.
Në këto përzgjedhje të projekteve do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Bankës Botërore, që ka statusin e vëzhguesit dhe njëkohësisht do të ofroj asistencë teknike.
Të gjitha aplikacionet e projekt-propozimeve duhet të dorëzohen në formularët standardë të aplikimit ku mund të shkarkohen në web faqen e Ministrisë së Punës deh Mirëqenies Sociale www.mpms.rks-gov.net.
Afati kohor për përgatitjen dhe aplikimin me Projekt-Aplikacione do të filloj nga data 16 mars deri më 2 prill 2012
Kryetari i vetëm i cili përmendi suksesin e arritur deri më tani me projektin Punët Publike Kosova 2012 ishte Shaip Surdulli, Kryetari i Kamenicës ku tha se në kuadër të këtij projekti janë realizuar suksesshëm dy projekte madhore, pastrimi dhe mirëmbajtja e Lumit Krivareka si dhe rregullimi i rrugës Tugjevc-Gmicë-Gjurishevc, që kanë ndikuar direkt në përmirësimin e infrastrukturës për qytetarët që jetojnë në këto anë.
Vlera e përgjithshme e projektit për vitin 2012 ka vlerën prej 3.3 milionë eurove, që janë mjete nga Buxheti i Kosovës, mbështetur edhe nga Banka Botërore.