Valerie Rockefeller dhe Dua Lipa mbështesin Aksionin për Nëna dhe Fëmijë
New York, 1 tetor - Fondacioni Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC) nga Prishtina orgaizon nesër mbrëmjen e saj të parë bamirëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Russian Tea Room në New York.
Valerie Rockefeller Wayne, nga Rockefeller Brothers Fund, si dhe Dua Lipa, këngëtare, filantrope dhe patrone e Fondacionit \"Sunny Hill\", do të bashkohet në ngjarjen bamirëse: \"Le të mbështesim nënat dhe fëmijët e Kosovës për të ndihmuar në ndërtimin e marrëdhënieve të reja midis komunitetit filantropik të Kosovës dhe atij të Shteteteve të Bashkuara; për të rritur ndërgjegjësimin ndaj përmirësimit të cilësisë së jetës së nënave dhe fëmijëve në Kosovë, por më e rëndësishmja, për të ndihmuar në mbledhjen e fondeve që ndihmojnë në uljen e nivelit të vdekshmërisë së nënave dhe fëmijëve në Kosovë.
Ngjarja bamirëse ka grumbulluar mbështetje të madhe si nga njerëzit e biznesit, skena politike, po ashtu edhe nga njerëzit e kulturës.
Pjesë e organizimit të ngjarjes janë personalitete të mirënjohura nga Kosova si dhe Shtetet e Bashkuara, si: Richard Lukaj, Bekim Ahmetaj, James C. Strickler, Michael Gold, Haki Abazi dhe Fadil Berisha. Konsulata e Kosovës në New York si dhe Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara kanë dhënë mbështetjen e tyre që në fillim të organizmit të ngjarjes, duke ndihmuar që të tregojnë për punën e AMC-së në komunitetin filantropik të Nju Jorkut dhe më gjerë.
Janinë Mehmeti, Koordinatore për Ngjarje dhe Ngritje Fondesh në AMC, shprehë mirënjohjen e saj të thellë për pritjen e përzemërt që AMC ka hasur në përpjekjet për të organizuar këtë mbrëmje bamirësie, mbrëmje kjo që do të mbështesë programet shëndetësore në Kosovë për përmirësimin e jetës së nënave dhe fëmijëve. Mbështetja e entiteteve si lokali i mirënjohur Russian Tea Room, Fondacioni Lukaj, Doro Group Restaurant, e kanë bërë këtë mbrëmje një realitet.
Biletat për ngjarjen ende mund të sigurohen online në platformat e AMC-së. Programi do të zgjasë për 30 minuta dhe pjesa tjetër e mbrëmjes do të jetë për shoqërimin mes musafirëve nën shoqërimin e një koktel rasti.