USAID përuron dy projekt në Pejë
Pejë, 22 nëntor - Drejtori i misionit të USAID-it James Hope, i shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, do të bëjë përurimin e dy projekteve të mbështetura nga USAID-i në këtë komunë.
Hope dhe Muhaxheri do të përurojnë stacionin e pompave të ujit në fshatin Bellopojë dhe ndriçimin publik në fshatin Gorazhdec.
Që të dy projektet janë pjesë e mbështetjes së dhënë nga ana e USAID-it përmes programit Avancojmë Kosovën se Bashku, të dizajnuar për të mbështetur bashkëpunimin dhe ndërveprimin konstruktiv ndëretnik në mes të komuniteteve shumicë dhe pakicë, gjë e cila ka rëndësi jetike për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
Programi i USAID-it Avancojmë Kosovën se Bashku përbëhet nga dy mekanizma, njëri nga të cilët është Avancojmë Kosovën se Bashku Parësori, i cili implementohet nga Chemonics, dhe tjetri Avancojmë Kosovën se Bashku Zgjidhjet Lokale, i cili implementohet nga Fondi për Zhvillim të Komuniteteve (CDF), në partneritet me Qendrën për Paqe dhe Tolerancë (CPT), dhe Ndihmën dhe Zhvillimin e Kosovës (KRD).