USAID nënshkruan Memorandum me Zyrën Kombëtare të Auditimit
Prishtinë, 21 maj - Sot në lokalet e Zyrës Kombëtare të Auditimit do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit (MM) në mes të Drejtorit të misionit të USAID-it, Xhejms Houp dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Ky memorandum përcakton parimet udhërrëfyese të bashkëpunimit në mes të ZKA dhe USAID-it, i cili vepron përmes programit Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse, dhe përshkruan pritjet e palëve të përfshira.
USAID-i, përmes aktiviteteve të tij, mbështetë përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve qeveritare të Kosovës dhe agjencive të pavarura për të forcuar llogaridhënien dhe efektivitetin në prokurimin publik me qëllim të përmirësimit të shërbimeve publike dhe rritjes së besimit të qytetarëve, veçanërisht në nivelin komunal.
Poashtu USAID-i po mbështetë Qeverinë e Kosovës (QK) në zbatimin e reformave anti-korrupsion dhe përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies në procesin e prokurimit publik në të gjitha 38 komunat e Kosovës si dhe brenda institucioneve tjera. Kjo arrihet përmes trajnimeve, ngritjes së kapaciteteve si dhe mentorimit dhe udhëzimit të përditshëm për të krijuar sisteme që do të përmirësojnë llogaridhënien në shpenzimin e parasë publike.
Më konkretisht, USAID-i punon me Zyrën Kombëtare të Auditimit në përpjekjet e kësaj të fundit për të ndërtuar kapacitete për zbulimin e mashtrimeve dhe keqpërdorimeve, duke përfshirë krijimin e kuadrit ligjor të nevojshëm për ndërmarrjen e aktiviteteve që kanë të bëjnë me zbulimin e mashtrimeve dhe keqpërdorimeve.