USAID ndihmon të rinjtë të gjejnë punësim profesional
Mark Wood, Drejtor i KPEP-it ka theksuar se USAID-i e konsideron zhvillimin e fuqisë punëtore si strategji kryesore në përmirësimin e pozitës konkurruese të kompanive dhe sektorëve të Kosovës.
Pasi që e gjithë ekonomia e Kosovës sipas tij po lëviz drejt shekullit 21, konkurrenca në treg, zhvillimi i shkathtësive për pjesëmarrësit aktualë dhe të ardhshëm të fuqisë punëtore dhe qasja e studentëve dhe e të papunëve në vende pune e profesione të reja, do të jetë kërkesë thelbësore.
"Për tiu ofruar studentëve, të papunëve dhe të punësuarve aktualë shkathtësitë të cilat i përshtaten më mirë biznesit, Programi për Ndërmarrje Private në Kosovë ka organizuar disa programe të praktikës tha Wood.
- Trajnimi dhe programi i praktikës në kontabilitet dhe financa, i implementuar nga Shoqata për Shërbime Financiare dhe Kontabilitetit (AFAS), ka inkuadruar 103 studentë të ekonomisë. Këta studentë kanë ndjekur programin e trajnimit dhe u vendosën si praktikantë nëpër banka dhe institucione mikrofinanciare. Deri më sot, 59 studentëve u janë vazhduar kontratat.
- Nga programi i praktikës për fusha të ndryshme, i implementuar nga World University Service Austria (WUS Austria), përfituan 40 studentë. Këta studentë u vendosën në ministri dhe drejtori të ndryshme komunale të pesë komunave. Deri më tani, 2 prej tyre u është ofruar mundësi punësimi permanent.
- Programi i praktikës për sektorin e prodhimeve të qumështit, i implementuar nga Nisma për Zhvillim të Bujqësisë së Kosovës (IADK), ka inkuadruar 15 praktikantë: 10 studentë fillestarë dhe 5 mentorë, të cilët ishin zgjedhur nga pilot grupi i programit të vitit 2009. Programi prapë dëshmoi të jetë shumë i suksesshëm për shkak se edhe cilësia e qumështit të prodhuar nga fermerët, që ishte po ashtu pjesë e programit, është përmirësuar, si dhe
- Programi i praktikës për industrinë e përpunimit të drurit, i implementuar nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës (SHPDK), i angazhoi 16 studentë nga Fakulteti i Shkencave Aplikative dhe nga Shkolla Profesionale dhe të Zdrukthëtarisë dhe Qendra për Aftësim Profesional, të gjithë klientë të KPEP-it.
Ky projekt ishte shumë i suksesshëm për shkak se 16 studentëve u është ofruar punësim nga kompanitë ku ishin të vendosur për praktikë. Deri më sot, 14 prej tyre i kanë pranuar ofertat për punë.
Programi për Ndërmarrje Private në Kosovë i USAID-it është një nismë katër vjeçare e filluar në tetor 2008 dhe synon stimulimin e aftësisë konkurruese të sektorit privat në ekonominë e Kosovës.